TIRANË- Një vit pas ngjarjes së rëndë, ku vëllai i saj Henri Haxhiraj qëlloi veten me armë zjarri, dhe humbi jetën, këngëtarja Sheila Haxhiraj ka folur publikisht për herë të parë.
Sheila ka rrëfyer gjatë intervistës në “S’e luan topi” se në momentin që vëllai i saj ndërmori aktin fatal ndodhej në shtëpi, por nuk mundi që ta shpëtonte.
“Kam qenë në shtëpi dhe nuk arrita ta shpëtoja… Ai moment është pengu im më i madh. Pse nuk i kushtova më shumë vëmendje? Pse nuk isha unë në vend të tij? Pse Zoti e sfidoi pikërisht atë, fëmijën më të butë?”, tha këngëtarja.
Ajo tha se këto pyetje e shoqërojnë vazhdimisht, edhe pse përgjigje nuk ka. Këngëtarja mohoi kategorikisht lajmet e mediave që pretenduan se Henri vuante nga depresioni kronik, duke thënë se vetëvrasja ka ndodhur në një moment të papritur.
“Henri nuk ka pasur depresion. Ajo që ka ndodhur ka qenë një moment i papritur axhitimi. Gjithçka tjetër që është thënë ka qenë abuzim mediatik,” deklaroi ajo.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 tetor të vitit të kaluar, në banesën e familjes Haxhiraj, në zonën e Qytetit të Studentit. Henri Haxhiraj, me profesion gardist, qëlloi veten me plumb në kokë, predha e të cilit i përshkoi kafkën tej për tej. 36-vjeçari në gjendje të rëndë u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak ku dhe u fatkeqësisht pas disa orëve humbi jetën. /ZËRI

