
ITALI-Pas katër vitesh në krye të skuadrës zikaltër, trajneri Simone Inzaghi i dha fund aventurës së tij me Interin. Pas një takimi me presidentin zikaltër, Beppe Marotta dhe drejtorin Piero Ausilio, tekniku 49-vjeçar ka komunikuar vendimin për tu larguar.
Largimi vjen pas humbjes në finalen e Ligës së Kampioneve, ku Interi u mposht me rezultatin e thellë 5-0. Në stolin e zikaltërve, Inzaghi fitoi tre herë Superkupën e Italisë, dy herë Kupën dhe një herë titullin kampion. Inzaghi do të vazhdojë karrierën e tij në Arabinë Saudite.
MESAZHI I INZAGIT:
E dashur familje zikaltër. Ka ardhur për mua momenti që t’i them lamtumirë këtij Klubi pas një udhëtimi katërvjeçar, gjatë të cilit dhashë gjithçka. Çdo ditë ia kam kushtuar mendimin tim të parë dhe të fundit të ditës Interit. Jam shpërblyer me profesionalizëm dhe pasion nga lojtarët, drejtuesit dhe çdo punonjës i klubit.
Gjashtë trofetë e fituar, mes të cilëve edhe titullin e yllit të dytë, së bashku me rrugëtimin në Ligën e Kampionëve në vitin 2023 dhe atë pak ditë më parë, janë dëshmi e prekshme se sa shumë është mbështetur puna ime nga një bashkësi qëllimesh me stafin tim dhe me çdo përbërës të Interit.
Falënderoj aksionerët për besimin që nuk ka munguar kurrë, Presidentin dhe bashkëpunëtorët e tij për ndihmën dhe dialogun e përditshëm. Në një ditë të vështirë si kjo e sotmja, mendoj se është e drejtë të përsëris këtë ndjenjë mirënjohjeje edhe për diskutimin që përfundoi pak kohë më parë. Ishim të sinqertë dhe së bashku vendosëm ta përfundojmë këtë udhëtim madhështor. Dua t’u kushtoj një fjalë të fundit miliona tifozëve zikaltër që më brohoritën, qanë dhe vuajtën në momente të vështira dhe qeshën dhe festuan në gjashtë triumfet që përjetuam së bashku. Nuk do ju harroj kurrë. Forca Inter.
Emri më i përfolur për të marrë drejtimin e skuadrës është ai i Cesc Fabregas. Aktualisht i lidhur me Comon në Serie B, spanjolli është kontaktuar që pas përfundimit të kampionatit italian./ZËRI