TIRANË- Kombëtarja Shqiptare ka shënuar një fitore historike duke 'përulur' Serbinë në shtëpi. Një fitore për kualifikim, por mbi të gjithë një fitore për histori, përballë një rivali që krahas statistave flet historia që kulmoi në Serbi 11 vite më parë, ku në qiellin e Beogradit u shfaq flamuri i Shqipërisë Etnike duke përshkallëzuar tensionet dhe duke vulosur rezultatin e ndeshjes 'në tavolinë'.
Një sfidë e një rëndësie të tillë sigurisht që ka marrë të gjithë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Nga faqet më të njohura të futbollit, deri të mediat prestigjoze...thurin tituj për fitoren e Shqipërisë.
"Shqipëria e zgjati serinë e saj të pamposhtur në gjashtë ndeshje me një fitore 1-0 ndaj rivalëve të përbetuar, Serbisë, në kualifikueset e Kupës së Botës, ndërsa Kuqezinjtë forcuan përpjekjen e tyre për të arritur në një finale të Kupës së Botës për herë të parë.", shkruan Flashscore.
Reuters e ka nisur shkrimin me dorëheqjen e trajnerit serbm Dragan Stojkoviç, pas humbjes ndaj Shqiëprisë.
"Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, dha dorëheqjen pas humbjes 1-0 në shtëpi ndaj Shqipërisë në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës të shtunën. Stojkoviç, i cili mori drejtimin e ekipit në vitin 2021, e udhëhoqi Serbinë në Kupën e Botës në Katar, por kohët e fundit ka pësuar humbje të njëpasnjëshme: një humbje 5-0 ndaj Anglisë në shtator, e ndjekur nga humbja e së shtunës në shtëpi, e vendosur nga goli i Rey Manaj në fund të pjesës së parë.", shkruan Reuters.
BBC gjithashtu e nis lajmin me dorëheqjen e teknikut serb që ka shkaktuar tension dhe debate në Serbi.
"Dragan Stojkoviç dha dorëheqjen nga posti i trajnerit të Serbisë menjëherë pas humbjes 1-0 të skuadrës së tij kundër Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës të shtunën. Rey Manaj shënoi golin e vetëm për t'i çuar Serbinë në dy humbje radhazi, pas disfatës shkatërruese 5-0 muajin e kaluar nga Anglia. Kjo i lë ata të tretët në Grupin K, me Anglinë në krye me 15 pikë dhe Shqipërinë në të dytën me 11, pasi kanë luajtur një ndeshje më shumë.", shkruan BBC.
"Goal.com", i ka dedikuar një shkrim të gjatë rrugëtimit të Shqipërisë drejt Botërorit 2026. Me dy ndeshje të mbetura, Shqipëria mund të fillojë të bëjë llogaritjet për të arritur në fazën eliminatore dhe të ëndërrojë vërtet një vend në Kupën e Botës të ardhshëm.
"Pasi mposhti Serbinë, Shqipëria tani ka një epërsi prej katër pikësh ndaj rivalëve të saj, por me një ndeshje më pak: ndeshjet kundër Anglisë do të jenë vendimtare. Ndeshja më e rëndësishme e grupit është ajo e Shqipërisë. Në Stadion Dubočica në Leskovac, skuadra e Sylvinhos mundi Serbinë, duke arritur të zgjerojë epërsinë ndaj Vlahovic dhe shokëve të tij të ekipit, të cilët tani janë katër pikë prapa me një ndeshje më pak.
Serbia humbi 1-0 në shtëpi, por ishte një humbje tronditëse, duke pasur parasysh se ishte një ndeshje që duhej fituar patjetër dhe që përfundoi me humbje. Manaj i lejoi Shqipërisë të ngjitej në 11 pikë, ndërsa vendasit mbetën me shtatë, duke e ditur se nuk mund të përballonin të bënin gabime të tjera dhe, mbi të gjitha, duke shpresuar për një gabim nga skuadra e vendit të dytë.
Me dy ndeshje të mbetura deri në përfundim të Grupit K dhe me Anglinë që po i afrohet kualifikimit të drejtpërdrejtë për Kupën e Botës, Shqipëria mund të fillojë të bëjë llogaritjet për të arritur në fazën eliminatore dhe të ëndërrojë vërtet një vend në Kupën e Botës të ardhshme. Një garë që disa vite më parë dukej si utopi e pastër, por pas kualifikimit për Euro 2016 dhe 2024, është thjesht hapi tjetër dhe i dukshëm për t'u ndërmarrë.", shkruan Goal.com
Vijeseti i bën përmbledhjen që në titull, fitores dhe atë çfarë pësoi pas rezultatit, me dorëheqjen e trajnerit serb: "Shqipëria mundi Serbinë dhe mori përsipër garën për play-off, dhe tifozët "e zgjedhur" kërkuan largimin e Stojković-it."
"Shqipëria e mundi Serbinë në Leskovac 1:0 dhe mori përsipër garën për vendin e dytë në Grupin K, i cili udhëhiqet bindshëm nga Anglia, përpara përfundimit të kualifikimeve për Kupën e Botës. Para vetëm katër mijë spektatorëve në stadiumin "Dubočica", goli i Ray Manaj në minutën e parë të kohës shtesë në pjesën e parë vendosi ndeshjen.", shkruan Vijesti.
Shqipëria fitoi në stadiumin e Leskovacit me një gol të Rei Manajt në pjesën e parë.
Kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 11 pikëve, duke u renditur në vendin e dytë të Grupit K, ndërsa lënë pas Serbinë me katër pikë më pak./ZËRI