TIRANË- Këtë të Shtunë, u mbajt etapa e dytë e “Giro d’Italia” në Shqipëri, ku e gjithë gara u zhvillua në kryeqytet. Por gara nuk kaloi pa probleme dhe incidente. Çiklisti australian, Luke Plapp, u rrëzua në një kthesë në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”. Edhe pse i lënduar, ai u ngrit dhe vazhdoi garën. Ndërkohë që në pjesën e fundit të fazës së parë të Giro d’Italia në Tiranë, ishte çiklisti Mikel Landa, ai që pësoi një rënie të rëndë.
Edhe çiklisti i Soudal u rrëzua katër kilometra nga vija e finishit, pasi u përplas me Jay Vine dhe Geoffrey Bouchard. Nga impakti i përplasjes duket se Landa ishte më i lënduari, pasi ekipi i mjekëve që ndjek garuesit i vuri një mbajtëse qafe dhe e çuan me barelë në spital.
View this post on Instagram
Pa lidhje me çiklistët e tjerë, gjatë etapës së dytë të “Giro d’Italia” 2025 është shënuar një incident, kur një qytetar ka hyrë në pistën e garës duke tentuar të kalojë rrugën përballë zonës së Bankës së Shqipërisë. Ai është përplasur me një nga çiklistët pjesëmarrës, i cili ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar në tokë. Për shkak të përplasjes, çiklisti është detyruar të braktisë garën, ndërsa siç duket nga pamjet, qytetari është larguar nga rruga nga një efektiv Policie.
Sa i përket garës, Joshua Tarling (Ineos Grenadiers) ka triumfuar në etapën e dytë të Giro d’Italia, një kronometër 13.7 km që u zhvillua në Tiranë. Britaniku 21-vjeçar ka regjistruar kohën më të shpejtë, duke lënë pas rivalët e tij të mëdhenj.
Etapa e tretë dhe e fundit në Shqipëri, do të mbahet ditën e dielë në qytetin e Vlorës. Në kuadër të zhvillimit të etapës së tretë të garës ndërkombëtare të çiklizmit “Giro d’Italia”, që do të zhvillohet më 11 maj në Vlorë, policia ka njoftuar se cilat akse rrugore do të bllokohen për automjetet.
Me anë të një njoftimi, policia e Vlorës lajmëron:
Në kuadër të etapës së tretë dhe të fundit të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025”, që do të zhvillohet në Vlorë, më datë 11 maj 2025, Policia e Vlorës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të larguar menjëherë mjetet e parkuara në akset ku parkimi është i ndaluar, për të shmangur ndërhyrjen me karotrec. Parkimi ndalohet nga ky moment deri në përfundim të garës, në këto akse rrugore:
* Sheshi i Madh (fillimi i Lungomares)
* Aksi Sheshi i Madh – Rruga “Shaban Demiraj”
* Fusha para Shkollës së Marinës
* Rruga “Reshat Osmani”
* Rruga “Veledin Kollozi”
* Aksi “Rrethi i Skelës – Rruga Aleksandria”
* Rruga “Hajredin Haxhiraj”
* Rruga “Mustafa Bello” dhe “Laze Malo”
* Rruga “Aleksandër Moisiu” – Bulevardi “Ismail Qemali” – Rruga “Demokracia” – Rruga “Arben Zylyftari”
* Rruga “Kosova” – Hotel Regina Garden dhe Sheshi “Ismail Qemali”
* Rruga “Sulejman Delvina” (segmenti Poliklinika – Dega Ushtarake) dhe zona e konvikteve të Fakultetit
Kujdes!
Të gjitha mjetet që nuk do të largohen nga drejtuesit, do të zhvendosen nga shërbimi i karotrecit për të liruar rrugët dhe për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve dhe qytetarëve. Vendbazimi i mjeteve të lëvizura: Ish-fusha e aviacionit. Lutemi për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj. Këto masa janë të përkohshme dhe në funksion të sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së aktivitetit sportiv ndërkombëtar që zhvillohet në qytetin tonë./ZËRI