Qytetërim

'Takimet e motivimit, si sekt'/ Ermal Mamaqi i kthehet Jul Dedës: Vëmë bast! Aktori: Flasim për rikthimin e "SHBLSH"

Përgjigjia erdhi nga vetë Mamaqi, i cili me anë të një videoje e ftoi në takimin e tij të radhës, duke vendosur edhe një bast me të.

k.m.
'Takimet e motivimit, si sekt'/ Ermal Mamaqi i kthehet Jul Dedës:
Julian Deda dhe Ermal Mamaqi

TIRANË- Aktorët Ermal Mamaqi dhe Julian Deda kanë pasur një debat që e kanë zhvilluar virtualisht. E gjitha ka nisur pas një postimi që ka bërë Deda, duke i konsideruar grupet e motivimit si "sekte", edhe pse Mamaqi është një nga ata persona që zhvillojnë 'trajnime për të gjetur suksesin'. Përgjigjia erdhi nga vetë Mamaqi, i cili me anë të një videoje e ftoi në takimin e tij të radhës, duke vendosur edhe një bast me të. Nëse, Dedës do i shijonte koha në trajnim, atëherë do t'i kishte një darkë borxh atij dhe shokut të tyre, aktorit Gentian Zenelaj. Nuk kaloi shumë, edhe Jul Deda i ktheu një përgjigje. Mes shumë kunjave dhe ironive, aktori e mirëpriti ftesën për rikthimin e grupit të humorit "The SHBLSH', duke e ftuar në një bashkëpunim të ri.

DEBATI MES TYRE:

Ermal Mamaqi: Kam marrë shumë mesazhe nga ju që më thoni se Jul Deda më shan për trajnimet e mia. Mesa duket mund të keni të drejtë, e parë nga këndi juaj, por unë nuk besoj se e ka për mua. Thotë aty që e ka për mua? Ai thotë, në përgjithësi. E ka me përgjithësinë. Tani unë mendova që të bëj një sqarim për ju dhe për Julin, për Julin e kam nëse Juli e ka për mua, në të kundërt harroje çfarë thashë. E bëj këtë video Jul për ty sepse të vlerësoj dhe më vjen  mirë që je rritur në karrierë, ke marrë këtë pozicion në Top Channel. Po të kujtoj Jul se dikur kemi qenë shokë të ngushtë. Kemi ndenjur gjithë ditën bashkë. Siç edhe ti e di ka shumë vite që nuk flasim bashkë, ose flasim shumë pak. Ndoshta mbas kësaj videoje do të jemi përsëri miq, ose përsëri të mërzitur. Po!  Unë jam mërzitur me ty dhe ti e di sepse. Sepse për të dytën herë ti poston video që duket se janë në përgjithësi, por që janë për trajnimet që bëj unë. Dhe nuk jam i vetmi që e mendoj kështu. Ndërsa ti, me të drejtë  je mërzitur me mua se në "Big Brother" erdhi një mesazh që kishte emrin tim, por që mbështeste Heidin. As nuk e kisha idenë, isha në majë të Nju Jorkut. Nuk isha unë, të betohem në jetën time. Se nëse do ta kisha bërë do të kisha thënë, po e kam bërë unë atë mesazh...e bëra për gallatë...të ngacmova. Mund të më merrje në telefon për ta vërtetuar por ti vendose të besosh që 'jo ai e ka çuar mesazhin'. Tani të kthehem tek trajnimet  e motivimit. Në këto trajnime mësova sesi të jem  më i lumtur dhe i suksesshëm. Do vëmë një bast; unë të ftoj që të vish në trajnimin e radhës, do të qeshësh shumë aty. Do kuptosh se nuk janë një sekt, por janë formula të psikologjisë. Nëse të pëlqen na ke një darkë borxh, mua dhe Gentit. Nëse nuk të pëlqen, do të dal nudo tek sheshi Skëndërbej.

Julian Deda: Mirëmbrëma Ermal. Ma dërguan videon që kishe bërë për mua. Më ka pëlqyer pafund, jam kënaqur duke e parë. Nga një anë qesha me lot, nga një anë u preka. Si fillim ti me të drejtë ngre pyetjen që e kam për ty apo jo. Rëndësi ka që ti e ke marrë që unë mund ta kem edhe për ty. Po ta dëgjosh videon deri në fund, videoja është vetëm për mua. Kësaj i bie që t'i i bie që ke bërë një video personale për mua. Njerëzve largpamës dhe të motivuar, nuk i lejohet që t'i kalojnë gjërat në personale. Pse ishe mërzitur me mua Ermal? Ti mendon që kam folur dhe për ty, unë të vlerësoj shumë dhe ne të dy nuk kemi lënë gjë pa u marrë  me të, politikan, fenomen dhe ti u mërzite se unë u mora ndoshta dhe me ty. Nuk më duket prej Ermalit kjo. Mllefin unë e kam fjalë të huaj. Ti e di shumë mirë që njerëzit e arrirë dhe me karrierë nuk kanë mllefe dhe inate. Tani unë nuk di cilin Ermal të besoj. Atë që thotë ka arritje në karrierë, apo atë që thotë kam mllef. Ti vetë si ndjehesh? A je sot më i suksesshëm, apo dikur? Kur fillonte Portokallia nuk kishte njeri në rrugë, kur filloi 2XL ishte fortunë humoristike. I mungon njerëzve Ermali i dikurshëm, kjo puna e suksesit han diskutim. Bastin nuk e pranoj sepse nuk dua ti bien dhëmbët njerëzve duke të parë ty lakuriq se nuk je ndonjë gjë e bukur. Për rikthimin e SHBLSH është përgjigje për atë që thashë në rrjetet sociale, ku propozova rikhimin e grupit. Thashë që ia kemi borxh publikut një rikthim. Ti padashjen tënde më ktheve një përgjigje pozitive. Presim edhe Gentin. Por edhe po më the "Jo", s'ka problem do të ta kthej mendjen. Për Gentin mos u shqetëso se do të flas unë me të.

Poll

MOS HUMB