Legjenda e tenisit, Serena Williams, ka folur hapur për sfidat që ka pasur me peshën trupore pas lindjes së fëmijës së dytë, duke zbuluar se ka humbur 31 paund (rreth 14 kg) me ndihmën e një ilaçi të tipit GLP-1.
Në intervista për People dhe emisionin “Today”, 23-herë kampionia e Grand Slam tha se, pavarësisht që ishte një atlete profesioniste dhe e angazhuar fizikisht, nuk arrinte të humbiste peshë në mënyrë natyrale. “Pavarësisht çfarë bëja – vrap, ecje për orë të tëra – trupi im nuk më përgjigjej. Pas lindjes së dytë, gjithçka u bë edhe më e vështirë”, u shpreh ajo.
Williams, 43 vjeçe, tha se nuk ndihej e shëndetshme me peshën që kishte, pasi kishte dhimbje në nyje dhe probleme me nivelet e sheqerit në gjak. “Nuk është se ndihesha keq me pamjen time, por trupi im nuk po më mbështeste më”, tha ajo.
Ajo vendosi të flasë hapur për përdorimin e ilaçit GLP-1 për të ndihmuar gratë e tjera që ndoshta ndodhen në të njëjtin pozicion dhe për të hequr stigmën mbi përdorimin e trajtimeve për rënien në peshë.
Ilaçet GLP-1 (agonistë të receptorëve të peptidit të ngjashëm me glukagonin) ndihmojnë në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe janë përdorur gjerësisht kohët e fundit për menaxhimin e peshës trupore./ZËRI