
BRITANI E MADHE- Rruga e trajnerit portugez, Ruben Amorimit te Mançester Junajtidi, ka qenë një udhëtim i vështirë. Në nëntor, pasi u emërua trajner pas shkarkimit të Erik ten Hagut, portugezi përballoi një realitet të egër. Skuadra ishte jashtë forme, zëvendësimet nuk ndërronin marsh loje dhe presioni i mjedisit të mësuar me fitore ishte i jashtëzakonshëm.
Amorimi më herët, edhe pas dakordësisë me drejtuesit e kuq, donte të merrte drejtimin pas përfundimit të sezonit me Sportingun. Klubi, nga ana tjetër, këmbënguli për marrjen e menjëhershme të drejtimit. Rezultatet? Ecuri e tmerrshme në Premier Ligën angleze, ku Junajtidi u rendit vetëm dy vende mbi zonën e rënies nga kategoria.
Në janar, pas humbjes nga Brajtoni, Amorimi ishte aq i zhgënjyer saqë rrjeti botëror serioz, ESPN, raportonte se po negocionte dorëheqjen.
Pavarësisht humbjeve të shumta, atmosferës së tensionuar dhe vështirësive për t’u përshtatur të stafit të tij, Amorimi arriti të çojë Junajtidin në finalen e Ligës së Evropës ndaj Totenhemit.
Ky takim i rëndësishëm në Bilbao nuk është vetëm një shans për të fituar një trofe, por edhe një derë drejt Ligës së Kampionëve dhe përfitimeve financiare që arrijnë mbi 100 milionë paund. Suksesi në këtë ndeshje do të sillte jo vetëm lavdi, por edhe do të ringjallte imazhin e një klubi që ka pësuar rënie të madhe në vite.
Drejtuesit e klubit, si Xhim Ratklifi, kanë treguar besim te trajneri Ruben Amorimi. Ata kanë mbështetur edhe vendime të vështira si përjashtimi i Markus Rashfordit. Klubi është përballur me mungesa lojtarësh, pakënaqësi të brendshme dhe shkurtim shpenzimesh.
Stafi i Amorimit ka pasur vështirësi për t’u përshtatur me jetën në Mançester. Tani, gjithçka varet nga finalja ndaj Totenhemit, e cila mund të ndryshojë fatin e Junajtidit./ZËRI