
ITALI- Karlos Alkarazi rrëmbeu titullin e tij të parë në Romë dhe të shtatin Masters 1000 në karrierë, duke mposhtur rivalin e tij të përjetshëm, Janik Sinerin me rezultat 7-6(5), 6-1. Me këtë fitore, spanjolli 22-vjeçar ndërpreu serinë prej 26 ndeshjesh pa humbje të italianit dhe e forcoi pozitën e tij si një nga lojtarët më të fortë në turnetë e mëdhenj.
E djeshmja ishte një paraqitje e jashtëzakonshme, ku Alkarazi tregoi qëndrueshmëri psikologjike dhe formë fizike të lartë, duke shpëtuar dy set point-e në setin e parë për të marrë më pas kontrollin e takimit.
Kjo ishte fitorja e tretë e Alcaraz në një turne ATP në këtë sezon, pas triumfeve në Roterdam dhe Monte-Karlo. Karrierën e tij e çon në kuotën e 30 fitoreve për vitin 2025, më shumë se sa çdo lojtar tjetër.
Alkarazi u bë gjithashtu i pesti lojtar në histori që fiton të tre Masters-at e fushës me dhé: Monte Karlon, Madridin dhe tani Romën.
Më parë e kishin bërë emra legjendarë si Nadal dhe Gjokoviç. Spanjolli përmirësoi bilancin ndaj Sinerit në 7-4 dhe tregoi se është rikthyer në formën më të mirë pas lëndimit në Madrid.
“Të fitosh në Romë dhe të mundësh Janikun më jep një ndjesi fantastike për Parisin,” tha fituesi spanjoll pas takimit final./ZËRI