Qytetërim

Katërshja e madhe e NBA dhe yjet e deritanishëm

Nju Jork Niksi, Indiana Pejsërs, Minesota Timberuolves dhe Oklahoma Siti Thandër janë skuadrat që do të luftojnë për trofeun “Larry O'Brien”.

k.m.
Katërshja e madhe e NBA dhe yjet e deritanishëm
Foto ilustruese

SHBA- Pas fitores bindëse të Oklahomës ndaj Denverit në ndeshjen e shtatë, faza gjysmëfinale e NBA-së është kompletuar. Nju Jork Niksi, Indiana Pejsërs, Minesota Timberuolves dhe Oklahoma Siti Thandër janë skuadrat që do të luftojnë për trofeun “Larry O'Brien”. Në këtë pikë të playoff-it, pasi janë parë e provuar dhjetra yje, është më e qartë se kush janë lojtarët që bënë vërtetë diferencën në rrugën drejt finales së madhe.

Në krye qëndron Xhelen Bransoni nga Nju Jorku, i cili ka udhëhequr Niksat me 28.8 pikë për ndeshje dhe ka qenë vendimtar në rikthimet spektakolare ndaj kampionëve në fuqi, Bostonit. Pas tij vjen Nikolla Jokiçi i Denverit, i cili edhe pse u eliminua, arriti të ofrojë një performancë historike me 44 pikë dhe 22 kërcime në një ndeshje, duke i mbajtur “Nagëtsat” në lojë deri në fund. Entoni Eduardsi nga Minesota ka treguar rritje të jashtëzakonshme të formës së tij sportive, sidomos në sfidat kundër Uoriorsave, duke i udhëhequr Timberuolves drejt suksesit me përqindje të lartë gjuajtjes nga distanca dhe asistime të rëndësishme.

Në të njëjtën kohë, Sha Gilxhës-Aleksandri i Oklahomës ka qenë vendimtar në fundin e serisë ndaj Denverit, duke shënuar mbi 30 pikë në tri ndeshjet e fundit dhe duke e ngritur skuadrën e tij në momentet kyçe. Tajris Halibërtoni i Pejsërsave ka kaluar nga një formë disi e zbehtë në raundin e parë në një nivel elitar kundër Klivlendit, duke bërë diferencën me gjuajtjet e sakta në fund të ndeshjeve. Rëndeli i Minesotës dhe Donovan Miçelli i Klivlendit ndihmuan ekipet e tyre me efikasitet dhe përgjegjësi, ndërsa Janis Antetokunmpoja, pavarësisht eliminimit të hershëm, mbetet ndër lojtarët më dominues të kësaj faze me mesatare prej 33 pikësh dhe 15 kërcimesh për ndeshje.

Playoff-et e NBA-së po japin spektakël dhe heronj të rinj – më e mira ende nuk ka ardhur. Heronjtë e vërtetë do të pushtojnë finalen e madhe./ZËRI

Poll

MOS HUMB