
LONDËR- “Skuadrat e mëdha gjejnë gjithmonë një mënyrë për të fituar në futboll”. Kjo shprehje duket se i shkon për shtat edhe Arsenalit në këtë vit futbollistik. Ekipi i Arsenal ka arritur të fitojë 3:4 në fushën e Luton, teksa londinezët morën një 3 pikësh në minutën e 97 pas golit të Declan Rice.
Skuadra rrezikoi që të mos ishte në krye të Premier League dhe mund të parakalohej, në rast se do ishte ndalur në barazim. Por me fitoren, ekipi arriti që pas 15 ndeshjeve të zhvilluara, të jetë në kuotën e 36 pikëve, 5 më tepër se ndjekësi më i afërt. Mirëpo, ka 1 ndeshje më tepër të zhvilluar sesa rivalët.
"Ky mund të jetë një tre pikë absolutisht jetik në fund të sezonit", tha McCoist, duke komentuar lojën për Amazon Prime. Ish-trajneri i Evertonit, Roberto Martinez tha: "Arsenal ka mentalitet fitues. Luton e bëri të vështirë fitoren për miqtë, por Arsenali gjeti një mënyrë për të marrë 3 pikët". Trajneri i ‘Gunners’, Arteta e quajti fitoren, një 3 pikësh fantastik, duke shtuar: "Luton luajti shumë mirë dhe ne luftuam vazhdimisht”.
Arsenal tregon mentalitetin e duhur?
Lëndimet dhe lodhja në këtë sfidë luajtën një rol kyç, pasi lufta për titullin e Arsenal nuk shkoi deri në fund sezonin e kaluar, sepse Manchester City u kurorëzua kampion, por mentaliteti i lojtarëve u vu gjithashtu në pikëpyetje. Kjo pasi Arsenal ishte disa pikë përpara dhe nuk administroi avantazhin. Këtë herë, lojtarët kanë shfaqur një mentalitet të tillë, që të jep idenë se nuk dorëzohen kurrë dhe shpesh kanë shënuar gola në fund të ndeshjes.
Goli i Rice kundër Lutonit ishte i dyti që ai shënoi pas minutës së 90-të, pasi e kishte bërë këtë edhe në fitoren 3-1 kundër Manchester United në shtator. Topçinjtë kanë marrë nëntë pikë falë golave të shënuar në pesë minutat e fundit të ndeshjeve. “Është një tjetër fitore ‘e vonë’ dhe ju duhet ta admironi dhe respektoni këtë ekip, sepse është një skuadër që nuk dorëzohet”, tha ish-sulmuesi i Newcastle, Alan Shearer në Amazon Prime. Ishte një vlerësim me të cilin ishte dakord edhe Arteta. “Ekipi tregoi shpirt, cilësi, guxim për të sulmuar e shënuar sërish”, tha ai. “Ne kurrë nuk u dorëzuam dhe u përpoqëm deri në fund”, shtoi ai. Ekspertët kanë thënë se mënyra sesi Arsenal po ‘arkëton’ 3 pikëshet është e jashtëzakonshme.
Gabimet e Raya mbeten një shqetësim
Pavarësisht paraqitjes ‘luftarake’, Arteta ishte zhgënjyer, pasi tha se ekipi i tij duhej të shënonte plot 4 gola për të marrë një fitore. “Është diçka që duhet ta përmirësojmë, pësimi i 3 golave tregon se diçka çalon në mbrojtje ose në portë”, tha ai. Arteta ka vlerësuar Luton, duke theksuar se ata luajtën po ashtu me zemër. Asnjë skuadër nuk ka bërë më shumë gabime që çojnë në gola se Arsenali këtë sezon (pesë) dhe portieri i tyre David Raya ka bërë jo pak gafa.
Aaron Ramsdale luajti në të 38 ndeshjet e Arsenalit në Premier League sezonin e kaluar, por u largua herët në këtë sezon, pasi Arteta favorizoi Rayan, i cili u bashkua në verë si huazim nga Brentford. Por Raya bëri dy gabime kundër Lutonit, duke dështuar të presë një goditje nga këndi, kur Elijah Adebayo shënoi me kokë dhe më pas lejoi që gjuajtja e Ross Barkley t'i kalonte nën këmbët e tij.
“Këtë mbrëmje ne pamë se portieri pësoi dhe gaboi”, shtoi Shearer. Ai tha: "Portieri është i vetmi pozicion për të cilin nuk mund të dyshoni. Është një pozicion për të cilin duhet të jeni plot besim, por tani ajo që po shohim është se kushdo që është në portë për Arsenalin, ata nuk ndihen të sigurt. Kjo duhet parë me kujdes e duhet shqyrtuar”. Por përkundër këtyre shqetësimeve në mbrojtje, fitorja e katërt radhazi e Arsenalit në Premier League bën që klubi të jetë në krye të kampionatit.
Megjithatë, legjenda e Topçinjve, Thierry Henry pranon se është ende shumë herët për të zhvilluar bisedat për titullin. “Ne e pamë se çfarë ndodhi sezonin e kaluar, ne ishim disa pikë përpara dhe në fund e humbën titullin. Është herët për të folur për titullin, na duhet shumë punë”, tha ai. Henry theksoi se deri tek titulli është një rrugë e gjatë, por ajo që duhet bërë është që skuadra të mos humbasë ritmin. Aktualisht, Arsenal kryeson Premier League, ndërsa më pas vijnë ekipet e Liverpool dhe Manchester City./Zëri.ai/