Qytetërim

Bloomberg: Disa aplikacione në AI zhveshin gratë pa pëlqimin e tyre

Studiuesit kanë ngritur shqetësimin se aplikacionet e AI që mund të zhveshin gratë janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Ekspertët shprehen se privatësia po cungohet së tepërmi nga këto aplikacione.

D.XH
Bloomberg: Disa aplikacione në AI zhveshin gratë pa pëlqimin e
AI

SHBA - Aplikacionet dhe faqet e internetit që përdorin inteligjencën artificiale për të zhveshur gratë në foto po rriten në mënyrë të ndjeshme, sipas studiuesve. Sipas ‘Bloomberg’ dhe kompanisë analitike të rrjeteve sociale ‘Graphika’, vetëm në shtator, 24 milionë njerëz vizituan faqe të tilla.

Shumë nga këto shërbime "zhveshëse" përdorin rrjete sociale të njohura për marketing. Për shembull, që nga fillimi i këtij viti, numri i atyre që reklamojnë këto aplikacione është rritur më shumë se 2400% në mediat sociale, duke përfshirë X dhe Reddit, thanë studiuesit. Shërbimet përdorin inteligjencën artificiale për të rikrijuar një imazh, në mënyrë që personi të jetë lakuriq. Shumë nga shërbimet funksionojnë vetëm për gratë.

Siç thekson raporti i Bloomberg, këto aplikacione janë pjesë e një tendence shqetësuese të pornografisë jo-konsensuale, që po zhvillohet dhe shpërndahet për shkak të përparimeve në inteligjencën artificiale - një lloj media e inxhinieruar e njohur si pornografi e rreme.

Pornografia jo-konsensuale e figurave publike është bërë një trend shqetësues në internet, por ekspertët e privatësisë janë gjithnjë e më të shqetësuar se përparimet në teknologjinë e AI e kanë dëmtuar jo pak jetën private. "Ne po shohim gjithnjë e më shumë nga këto që bëhen nga njerëz të zakonshëm me qëllime të zakonshme", tha Eva Galperin, drejtore e sigurisë kibernetike në Electronic Frontier Foundation. "Ju e shihni këtë fenomen mes fëmijëve të shkollave të mesme dhe njerëzve që janë në kolegj", shtoi ajo.

Shumë viktima nuk mësojnë kurrë për imazhet që ua kanë shpërndarë, por edhe ata që e mësojnë se çfarë ka ndodhur me to, mund të kenë vështirësi në mbrojtjen ligjore, tha Galperin. Aktualisht nuk ka asnjë ligj federal që ndalon krijimin e pornografisë ‘së thellë’ të rreme, megjithëse qeveria amerikane ndalon krijimin e imazheve jo të përshtatshme të të miturve.

Në nëntor, një psikiatër fëmijësh nga Karolina e Veriut u dënua me 40 vjet burg për përdorimin e aplikacioneve të tilla në fotot e pacientëve të tij. Kjo është ndjekja e parë e këtij lloji sipas ligjit që ndalon krijimin e materialeve të rreme të abuzimit seksual të fëmijëve./ZËRI/

Poll

MOS HUMB