
TIRANË- Spektakli i Big Brother VIP filloi me rrëfimin e që aktorja Egla Ceno bëri në lidhje me një ngacmim seksual. Egla tha se e kanë ngacmuar seksualisht para shumë vitesh, ndërsa sot ai del në ekran me zë dhe figurë dhe ndoshta të njëjtën gjë bën edhe me gra e vajza të tjera. Aktorja u shpreh se personi në fjalë ishte moderatori Saimir Kodra, ku sipas saj i ka kërkuar para shumë vitesh të kryenin marrëdhënie seksuale në favor të punës.
Egla pa në ekran reagimin e moderatorit Saimir Kodra, i cili në hyrje të emisionit “STOP”, foli rreth deklaratës së saj. Kodra përsëriti se Egla është një “aktore e dobët” e cila po luan një skenar të rëndomtë dhe të pistë, ndaj edhe do të përballet me një padi penale, jo vetëm ajo, por edhe televizioni ku ajo ka bërë deklaratën. Pasi pa reagimin e moderatorit Egla tha se e mirëpret padinë dhe do të përballet me të në Gjykatë.
Egla Ceno: Unë e ftoj Sajmirin të qetësohet me prononcimet që bën pa kaluar në skenarë, regjizor, aktorë etj etj etj. Unë nuk flas në skenarin e dikujt që të them një gjë kaq të vërtetë që e kam kaluar në lëkurën time dhe marr përgjegjësi për gjërat që them dhe që nxjerr nga goja. Mirëse të vijë Gjykata, çfarëdo Saimiri të kërkojë. Unë sigurisht nuk do të kem prova materiale sepse një event i ndodhur para 24-25 vitesh i paregjistruar, kërkesë pune në një studio radioje, sigurisht që nuk ka prova sepse nuk kam patur për qëllim të vë në kurth apo të regjistroj zotin Saimir, por mund të bëjë një gjë tjetër të cilën do ta mendoj fort dhe mirë para se ta prononcoj ose ta them.
/ZËRI