
ITALI- "Ëndrra jonë", kështu e përcaktoi Chiara Ferragni vilën e blerë një vitë më parë në liqenin e Komos. Por me përfundimin e historisë së dashurisë mes Chiarës dhe Fedez mori fund edhe ëndrra e shtëpisë. Sot vila Matilda, rezidenca luksoze në liqenin e Komos e blerë nga familja Ferragnez, do të shitet. Të dy e blenë atë në janar 2023 dhe kaluan fundjavën e parë familjare atje në korrik. Më pak se një vit më vonë, gjithçka ndryshoi, shkruajnë mediat italiane.
“Ëndrra e shtëpisë së madhe në Como të blerë as një vit më parë nga familja Ferragnez (me sa duket nga Fedez) përfundon gjithashtu. Vila Matilda del në shitje. Vila është e aksesueshme nga liqeni (dhe me mjaft vështirësi nga toka, gjë që e bën atë të pakëndshme", shkruan gazetarja Selvaggia Lucarelli në Instagram Stories.
Përshkrimi vijon duke dhënë detaje të tjera për rezidencën: "Nëpërmjet një korridori që zbret përgjatë parkut ju keni akses në vilën e shtrirë në tre kate. Në katin përdhes ndodhet sallon me dhomën e ngrënies, dhomën e ndenjes, kuzhinën, dhomën e gjumit dhe banjën. Nga këtu ju mund të hyni në liqen nëpërmjet një barke nëntokësore me zonë shërbimi. Në katin e sipërm ka tre dhoma gjumi dhe dy banja."
Çifti kishte zgjedhur emrin Villa Matilda, në homazh të qenit të tyre që kishte ngordhur pak më parë. Tetorin e kaluar Chiara tregoi me krenari në Instagram ambientet e brendshme të shtëpisë luksoze që mban emrin e qenit Ferragnez, i cili vdiq korrikun e kaluar. Disa muaj më parë, Ferragni, duke treguar pamjen e jashtme të shtëpisë së re, kishte shkruar në rrjetet sociale: “ Ëndrra jonë ”. /ZËRI