
MANCHESTER- Pas ndeshjes me rezultat të barabartë dhe pa gola, në një derbi të mërzitshëm e të akullt mes Mançester Junajtidit dhe Mançester Sitit, tifozët e Junajtidit e humbën toruan. Pas ndeshjes derbi, i cili përfundoi në barazim 0-0 në "Old Trafford", një tifoz 20-vjeçar i Mançester Junajtid, Alfi Holt, nga Drojlsden, u arrestua nën akuzën për sulm ndaj mesfushorit të Mançester Sitit dhe kombëtares angleze, Xhek Grillish.
Incidenti ndodhi ndërsa Grillish po largohej nga fusha drejt tunelit të dhomave të zhveshjes. Në atë çast dyshohet se Holt e goditi mesfushorin. Lojtari nuk pësoi lëndime serioze, por ngjarja përbën një precedent serioz. Kampionati anglez dhe organizatorët, ndaj episodeve të tilla, tregohen me dorë të hekurt. Holti do të paraqitet në Gjykatën e Mançesterit në muajin korrik. Ky nuk ishte incidenti i vetëm i tifozëve të kuq.
Në të njëjtën ndeshje, ata u kritikuan për këndimin e koreve fyese ndaj familjarëve të një tjetër lojtari të Sitit dhe të Anglisë, Fil Fodenit. "Të turpshme" dhe "pa klas" i quajti këto veprime trajneri i Sitit. Megjithatë, ndaj Junajtidit, mund të ketë edhe sanksione të tjera nga organizatorët e garës./ZËRI