
LISBONË- Çelsi, për 50 milionë euro, raportohet nga ESPN-ja se mund ta ketë mbyllur një marrëveshje me adoleshentin portugez të Sportingut të Lisbonës nën hundën e Mançester Junajtidit, Xheovani Kuenda. Pse nën hundën e djajve të kuq? Sepse Xheovani Kuenda (Geovany Quenda) ishte basti dhe thirrja e Ruben Amorimit në skuadër të parë. Trajneri i sotëm i Junajtidit ishte ai që e përshtati për skenën e madhe dhe kishte udhëzuar të tijtë anglezë ta mbanin përherë një sy gati për ta sjellë portugezin në "Old Trafford", në kuadër të ristrukturimit të skuadrës, ish-zbulimin e tij.
Çelsi u tregua më i shkathët. Nën urdhrat e Amorimit, adoleshenti e nisi menjëherë me gol në finalen e Super Kupës portugeze ndaj Portos. Fillim i parashkruar për të qenë një lojtar mbi të zakonshmem. 8 asiste 2 gola në 44 ndeshje me fanellën e parë të Sporting Lisbonës për anësorin e djathtë, që ka siguruar thirrjen dhe pret të debutojë edhe për kombëtaren portugeze.
Kuendaja është një futbollist i papërmbajtshëm në shpërthimet atletike në krah, që e kombinon me aftësi shumë të mira driblimi. Dy avantazhe të mëdha të tij, përveçse merr krahun dhe fiton metra me shpejtësi të madhe, falë teknikës së lartë ai provon të shkojë edhe drejt qendrës. Duke qenë i pajisur me dhuntinë e të përdorurit edhe të këmbës së majtë, e bën atë një nga anësorët më të rrezikshëm në Evropë, gjë që e thonë edhe statistikat: ai renditet në ToP 5% anësorët më të rrezikshëm evropianë, me 2.5 shanse të krijuara për ndeshje, edhe pse ende 17-vjeçar.
Ky shpirt sipërmarrjeje në këtë moshë e bën një yll në rritje ndaj Çelsi dhe Junajtidi prej kohësh zhvillonin "luftime". ESPN-ja raporton se këtë luftë e fitoi Çelsi, megjithatë deri në pritjen e zyrtarizimit, nxënësi për profesorin e tij mund të bëjë çudira./ZËRI