
TIRANË- Jasir Asani ka shënuar golin më të bukur të raundit të gjashtë të kualifikueseve të kampionatit europian Gjermani 2024.
Perla e realizuar nga sulmuesi kuqezi në përballjen në stadiumin "Air Albania" kundër Polonisë ka marrë më shumë vota në votimin e hapur nga UEFA.
Në vend të dytë u përzgjodh goli i shënuar nga Leandro Trossard në takimin Belgjikë-Estoni.
Pas tij, u vlerësua rrjeta e Maxim Samorodov në përballjen Kazakhistan-Irlandë e Veriut.
Goditja e Asanit ishte e pakapshme edhe për një portier me eksperiencë si Szczęsny, që luan edhe për Juventusin në Serie A.
Sulmuesi kuqezi e fiton këtë çmim për herë të dytë në këto kualifikuese, ndërsa në raundin e tretë befasoi me perlën e realizuar kundër Moldavisë.
Tifozët vlerësuan edhe golin e Kristjan Asllanit në sfidën kundër Ishujve Faroe në raundin e katërt të kualifikueseve të kampioantit europian.
Votat e publikut europian kanë treguar se kombëtarja kuqezi përveçse ka marrë fitore të rëndësishme, ka dhuruar edhe spektakël në fushë.
Jasir Asani është padyshim lojtari i momentit te Shqipëria. Super goli i realizuar kundër Polonisë i la të gjithë pa fjalë, pasi ishte një çmenduri. Por Jasiri ka filluar që të na mësojë shpesh me realizime nga distanca të pamundura.
Mjafton të shohim edhe njëherë ritransmetimin e atij goli, teksa sapo Jasiri shtron topin për goditje, të gjithë tifozët ngrihen në këmbë në Air Albania.
/Zëri