
MUNICH - “Ndihem sikur po përmirësohemi çdo ndeshje”.
Këto fjalë nga Harry Kane do të ngjallin frikë te ekipet e tjera të Bundesligës dhe ekipeve më të mira të Europës, pasi sulmuesi anglez po performon jashtëzakonisht mirë. Sulmuesi i Anglisë u bë lojtari i parë që shënoi 15 gola në 10 ndeshjet e tij të para në Bundesligë, kur shënoi hat-trickun e tij të tretë të sezonit në fitoren mbresëlënëse 4-0 të Bayernit me Borussia Dortmund të shtunën.
Kalimi i tij në verë te Bayern nga Tottenham tashmë ka bërë që njerëzit të parashikojnë se rekordi i të gjitha kohërave të Bundesligës, golat e Robert Levandovskit të vihen në rrezik.
Levandovski, ish-lojtari i Bayern Munich - tani i Barcelonës - shënoi 41 gola në kampionat në sezonin 2020-2021, duke tejkaluar rekordin 49-vjeçar të Gerd Muller prej 40 golash. Nëse Kane vazhdon siç ka filluar, ai është në rrugën e duhur për të shënuar 50 gola.
Kane mund të tejkalojë edhe 52 golat që Erling Haaland shënoi në të gjitha kompeticionet në sezonin e tij të parë për Manchester City. Megjithatë, në mënyrë të pabesueshme, Kane nuk është lojtari i vetëm që paraqet një kërcënim serioz për rekordin e Levandovskit, pasi edhe Serhou Guirassy i Stuttgartit ka shënuar 14 gola deri më tani në nëntë ndeshje të kampionatit gjerman.
Lojtari i Guineas, i lindur në Francë, shënoi 11 gola në formë huazimi me Stuttgart sezonin e fundit, por golat e tij këtë sezon po bëjnë që disa nga skuadrat kryesore të Evropës ta mbajnë nën vëzhgim. Me Kane dhe Guirassy në një super formë, rekordet mund të thyhen.
Sa mirë ka performuar Kane në këtë sezon?
Ky është fillimi më i mirë i Kane në një sezon për sa i përket golave. 20 golat e tij në Bundesligë (përfshirë pesë asistime) janë gjithashtu rekord personal. Ai kurrë më parë nuk ka bërë më mirë në 10 ndeshjet e tij të para të një sezoni në një kampionat. Ai ka shënuar 17 gola në 13 ndeshje në të gjitha garat për Bayernin dhe 20 gola në 15 ndeshje për klubin dhe kombëtaren.
Asnjë lojtar në futbollin botëror nuk ka shënuar më shumë gola se Kane këtë sezon. Ai tashmë ka shënuar një gol më shumë se golashënuesi më i mirë i Bayernit sezonin e kaluar, Serge Gnabry. Duke shënuar një gol tjetër në Bundesligë, Kane do jetë njësoj me golashënusit më të mirë të sezonit të kaluar në Bundesligë - Niclas Fullkrug dhe Christopher Nkunku.
Vetëm Gerd Muller kishte shënuar më parë po aq gola në 10 ndeshjet e para të një sezoni në historinë e Bundesligës, duke e bërë këtë në vitet 1968-69 (gjithashtu 15).
Vetëm shtatë lojtarë kanë shënuar 30 gola ose më shumë në një sezon në historinë e Bundesligës - Kane është tashmë në gjysmë të rrugës.
Kane kishte shënuar 30 gola më së shumti në një sezon të Premier League dhe e kishte bërë këtë në sezonet 2017/18 dhe 2022/23.
Kane është vetëm dy gola larg rekordit të lojtarëve anglez në një sezon të Bundesligës: Kevin Keegan (1978-79 për Hamburger SV) dhe Jadon Sancho (2019-20 për Dortmundin) shënuan 17 gola.
Harry Kane u bë lojtari i parë në historinë e Bundesligës që shënon një hat-trick në paraqitjen e tij të parë në klasike. Ai shënon mesatarisht një gol çdo 58 minuta në Bundesligë, duke e bërë realisht ‘të frikshëm’ për kundërshtarët./Zëri.ai/