
TIRANË- Reperi Arkimed Lushaj ka reaguar sërish nga arratia lidhur me një lajm të publikuar nga ZËRI. Pas thirrjes publike që i bëri kryeministrit Edi Rama për lirimin e mikut të tij, reperit Rigels Rajku, Stresi duket se për një çast uli "armët" me kreun e qeverisë, duke harruar dashurinë që ka shprehur publikisht ndaj kryedemokratit Sali Berisha. Por duket se nuk është kështu! Stresi shkruan se në fakt Rama e ka përdorur Noizy-n për fushatë, por sot që është në pranga nuk reagon për t'i dalë në krahë.
"Dashuria dhe besnikëria ime do të jenë deri në fund të frymës time për Berishën. Ju drejtova kryeministrit sepse për fushata ju duhet duhet Zini por kur vjen puna tek kjo padrejtësi nuk flasin. Këta janë specialista të përdorin edhe kaq. Unë po shkruaj nga arratia dhe jam gjithmonë kundër këtij shteti. Kështu që në këtë drejtim ju drejtova Kristaqit se kundër më ka gjithë jetën kështu ju portale dhe kazani m... S'më nxirrni dot blof,"-shkruan Stresi teksa shpërndan lajmin e ZËRI-t.
Noizy dhe miku i tij Bahtjar Bajraktari (DJCRAX) akuzohen se disa ditë më parë, janë përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se dhunuan Medi Isenin. Ky i fundit pretendon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Edhe Noizy në një reagim para arrestimit, u shpreh se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe i është bërë padrejtësi. Prokuroria e Pejës po heton çështjen. Stresi është shpallur në kërkim./ZËRI