
SHBA- Dario Amodei,drejtor ekzekutiv i një prej kompanive më të njohura të inteligjencës artificiale në botë, deklaroi në një intervistë me Axios se inteligjenca artificiale mund të eliminojë 50% të të gjitha vendeve të punës të nivelit fillestar, brenda një deri në pesë viteve të ardhshme, duke rritur potencialisht shkallën e papunësisë në 10% deri në 20%. Sipas tij, as politikanët dhe as udhëheqësit e biznesit nuk janë të përgatitur për një gjë të tillë.
“IA tani po bëhet më e mirë se njerëzit në pothuajse çdo detyrë intelektuale dhe të gjithë duhet ta përballojmë së bashku”, tha kreu i Anthropic për CNN.
Ai tha se pret që inteligjenca artificiale të ofrojë përfitime të mëdha për ekonominë dhe të nxisë përparime të papara në mjekësi. Deri më tani, mendonim se inteligjenca artificiale kërcënonte kryesisht vendet e punës me paga të ulëta. Megjithatë, sipas Amondei-t, Inteligjenca Artificiale ka të ngjarë të shkojë aq larg sa të eliminojë vendet e punës më të specializuara që kërkojnë vite studimi dhe përvoje.
Të dhënat tregojnë se papunësia është rritur veçanërisht në fushat teknike ku po bëhen përparime të shpejta në inteligjencën artificiale. Më herët këtë muaj, Microsoft njoftoi se do të pushonte nga puna 3% të stafit të saj, përfshirë shumë inxhinierë. Kompania e sigurisë kibernetike CrowdStrike pushoi nga puna 5% të fuqisë punëtore të saj (500 persona), duke përmendur riformësimin e sektorit nga inteligjenca artificiale.
Edhe CEO i Google, Sundar Pichai, paralajmëroi në prill 2023 se ai priste që “punëtorët e dijes”, siç janë shkrimtarët, kontabilistët, arkitektët dhe inxhinierët e softuerëve, të goditeshin rëndë nga rritja e inteligjencës artificiale.Megjithatë, IA nuk është ende plotësisht gati.