
SPANJË- Lamin Jamali është shumë pranë rinovimit të kontratës me Barcelonën deri në vitin 2031, kështu raportojnë disa media sportive. Thuhet se pas një takimi pozitiv mes presidentit të klubit Joan Laporta dhe agjentit të tij Horge Mendesh, gjithçka është gati. Kontrata aktuale e talentit 17-vjeçar skadon në vitin 2026, por Barcelona nuk do të rrezikojë dhe ka kohë që po punon për përmirësimin e kushteve të tij.
Mendeshi është takuar me Jamalin javën e kaluar dhe u kthye në Barcelonë të hënën për të finalizuar detajet me klubin. Jamali, i cili mbush 18 vjeç në korrik, ka shprehur shpesh dëshirën për të qëndruar në Barcelonë, ku tashmë ka mbi 100 paraqitje me ekipin e parë.
Kontrata e tij e re pritet të përfshijë një rritje të konsiderueshme page dhe bonuse individuale, përfshirë një shpërblim të veçantë nëse fiton Topin e Artë. Laporta ka deklaruar se Jamali do të trajtohet në mënyrë të veçantë, në përputhje me rëndësinë e tij në skuadrën e drejtuar nga Hansi Fliku. Gjatë këtij sezoni, Jamali ka qenë vendimtar në sukseset e Barcelonës, duke shënuar 18 gola dhe duke dhënë 25 asistime në 55 ndeshje.
Paraqitjet e tij e ndihmuan ekipin të fitojë tripletën vendase: La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës. Ai gjithashtu ka shkëlqyer me kombëtaren spanjolle, duke ndihmuar La Roja të fitojë Kampionatin Europian. Me ta ka marrë disa nga çmimet më të rëndësishme për lojtarët e rinj, përfshirë Kopa Trophy dhe “Golden Boy”./ZËRI