
ITALI- Napolitanët rrëmbyen skudeton në javën e fundit nga Interi, që konsiderohej favorit absolut. Me vendosmëri dhe karakter, ekipi i drejtuar nga Antonio Konte shpërbleu vetëveten duke mos u dorëzuar as kur kushtet fizike ishin të pafavorshme, apo kur dukej se Interi i Inzagit po shkëputej.
Ky sukses nuk erdhi falë bukurisë së lojës, por përmes vullnetit dhe sakrificës në grup. Kjo e bën triumfin më të ëmbël për një qytet si Napoli dhe shton më shumë krenari.
Rrugët e qytetit u bllokuan me festime të çmendura. Në duart e tifozëve nuk mungonin posterat e Maradonës me aureolë shenjtë, por as ato të "Shën Pedros së Lacios", mbrojtësit të ri të qytetit, me dy golat e të cilit Interi ngeci në barazim dhe Napoli parakaloi me pikë.
Antonio Konte ka qenë faktori vendimtar në këtë fitore: me një skuadër pa shumë ndërrime dhe pa yllin Kvara, që u largua në janar, tekniku italian ia doli të krijojë një ekip solid.
Kërkesa e tij për të sjellë McTominay, që u shqua si mesfushori më i mirë i kampionatit, tregon vizionin dhe instinktin e tij fitues.
Kontja ka vendosur shumë nga uria e tij për suksese në këtë skuadër dhe fusha e shpërbleu, atë dhe skuadrën.
De Laurentisi, presidenti i klubit, e kuptoi këtë simbiozë mes trajnerit dhe skuadrës dhe si rrallë ndodh mes tij dhe trajnerëve, i la dorë të lirë italianit, jo pa siklet. Vendimi i dha rezultatin maksimal.
Interi përsëriti gabimet e tre viteve më parë ndaj Milanit, duke e humbur skudeton në finish, por këtë herë të paktën ka shansin të shpëtojë sezonin me një finale Champions-i përpara.
Zikaltrit kanë një ekip cilësor, por jo organikë të mjaftueshme për të përballuar tre fronte garash; mungesa e alternativave në sulm dhe lodhja e lojtarëve kryesorë si Lautaroja dhe Turami i kushtuan rëndë.
Një fitore në Champions më 31 maj kundër PSG-së mund të ndryshojë gjithçka dhe të fshijë çdo keqardhje për këtë skudeto, por letrat i japin diçka më shumë PSG-së. Mbetet për t'u parë./ZËRI