TIRANË- Është ndarë nga jeta gazetarja dhe shkrimtarja e njohur Rezarta Reçi, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur të afërmit e saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, familjarët njoftojnë lajmin dhe përcjelljen për në banesën e fundit të gazetares.
“Rrezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit e përkushtimit të miqve, të afërmve e mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit. Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet nesër. Rruga ‘Bardhyl’, më datë 2 Shkurt 2026, ora 15:00 Tiranë. Me respekt familja Reçi”, shkruhet në postim.
Gjatë karrierës së saj, Rezarta Reçi nuk ishte vetëm gazetare. Ajo ishte autore dhe moderatore e emisioneve të shumta televizive, si dhe autore e disa librave. Ndër veprat e saj të njohura është edhe libri “Zhbërja”, që ka në qendër marrëdhëniet e ndërlikuara njerëzore për të edukuar mbi qasjet e reja që duhet të përqafojmë dhe zhbërë të vjetrat. Shkrimi dhe krijimtaria i kanë dhënë asaj forcë të madhe në luftën kundër sëmundjes./ZËRI