TIRANË- Familjarë, të afërm dhe kolegë i dhanë lamtumirën e fundit sot aktorit Fitim Makashi, i cili u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Lajmi u bë me dije nga djali i artistit të kinematografisë shqiptare, këngëtari i njohur Redon Makashi, i cili njoftoi edhe homazhet në ambientet e Art Turbina në Tiranë. Pas përfundimit të homazheve, ceremonia e varrimit është zhvilluar në Varrezat e Sharrës në Tiranë.
"Me dhimbje të thellë njoftoj ndarjen nga jeta të babait tim, artistit Fitim Makashi. Homazhet në nderim të tij do të mbahen nga ora 11:00-13:00, pranë Art Turbina. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Varrezat e Sharrës në Tiranë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe ngushëllimet. U prehtë në paqe!", shkruajti Makashi në mesazhin e tij.
Në homazhe morën pjesë familljarët dhe emra të njohur të botës së teatrit, kinematografisë, por edhe shok e miq të artistit. Djali i tij, Redon Makashi u shfaq i prekur para mediave, teksa ndau dhimbjen dhe pak nga historia dhe ndarjen nga jeta të të atit.
"Na ra kështu, si një.... Dhe në kohën që po flasim bashkë më duket si një ëndërr. Miqtë e kanë respektuar shumë babain dhe kjo ma heq pak atë dhimbjen. Këta kanë qenë një brez që nuk kthehen më. Sinqeriteti i tyre dhe shoqëria e tyre... Ai në shtëpi fliste edhe për miqtë e tij, por edhe për miqtë e tij që kishin shkuar para tij. Sado sado është një dhimbje që vetëm brenda e ndiejmë. U shkëput herët nga teatri, sepse ndodhën ato trazirat dhe në atë periudhë ai, si nëna dhe babai, u detyruan të iknin në Amerikë për 15 vite. Dhe sa herë i shihja që ktheheshin nga ai vend, ktheheshin gjithmonë e më të plakur. Edhe i thoja që të rrinin në Shqipëri, sepse këtu i kishin shokët e miqtë. Nuk ishte e lehtë jeta jashtë. Gjithsesi sot kur shoh shokët e tij, ma lehtëson pak dhimbjen. Por është dhimbje e pashërueshme", tha mes të tjerash Makashi.
Kush ishte Fitim Makashi
Fitim Makashi do të mbahet mend për profesionalizmin, pasionin dhe dashurinë për artin.
Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër dhe nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1963. Karrierën e tij e zhvilloi si pedagog dhe aktor në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar), ku interpretoi një sërë rolesh të spikatura. Ai u shfaq edhe në kinematografi, duke luajtur në filma të njohur si “Dueli i heshtur”, “Njësiti gueril”, “Ndërgjegja”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Tre njerëz me guna”, “Shpella e piratëve” dhe “Vdekja e kalit”./ZËRI