Qytetërim

Ndeshja me Serbinë/ Broja: Nuk e kam mendjen te goli, por te fitorja e skuadrës! Ajeti: E vështirë pa tifozët

Ndeshja me Serbinë pritet të jetë një sfidë e vështirë dhe vendimtare për ëndrrën e kualifikimit në Botërorin 2026.

E.K
Ndeshja me Serbinë/ Broja: Nuk e kam mendjen te goli, por te fitorja e
armando broja

TIRANË- Vazhdojnë përgatitjet e kombëtares kuqezi për ndeshjen vendimtare kualifikuese të 11 tetorit ndaj Serbisë, e cila do të luhet në Leskovac. Në konferencë për shtyp sot doli Armando Broja dhe Arlind Ajeti. I pari, i cili nuk po e gjen dot veten as në klubin e ri, ku kaloi kësaj vere, u shpreh para gazetarëve:

Ju mungon goli nga viti 2023, por tifozëve shqiptarë iu mungon Broja i vërtetë…

Më e rëndësishme për mua është të fitojmë ndeshjen. Normalisht kam dëshirë të shënoj gola, por më e bukura do të ishte ta fitonim ndeshjen duke krijuar raste dhe ndihmuar njëri-tjetrin.

Një sfidë jo si gjithë të tjerat. Si është atmosfera brenda ekipit dhe a keni pasur biseda me trajnerin Sylvinho?

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por ne duhet të jemi të fokusuar dhe të përqendruar. Normalisht që është ndeshje e madhe, por duhet të luajmë si skuadër, të dëgjojmë udhëzimet e trajnerit për të fituar.

Goli i fundit juaj daton në vitin 2023. A ka ndikim zhvendosja juaj në krahun e djathtë për mungesën e golave?

Jo, nuk ndikon pozicioni. Mund të shënoj edhe në krahun e djathtë. Kam folur me trajnerin dhe ai më ka thënë se duhet të jem i përqendruar kur të kem rastet. Dua ta ndihmoj ekipin, qoftë duke shënuar apo duke asistuar. Nuk e kam mendjen vetëm te goli, por te fitorja e skuadrës.

A besoni se do të kualifikohemi?

Kemi shanse të mira, edhe pse rivalizojmë ekipe të vështira si Anglia dhe Serbia. Duhet të luftojmë fort deri në fund. Kjo është ndeshja e radhës dhe duam ta fitojmë patjetër.

Ndërkohë që Arlind Ajeti pranoi se mungesa e tifozëve do të luajë rolin e saj në një fushë aspak të lehtë, siç është ajo serbe.

Si është përgatitja e kësaj sfide në aspektin emocional, ndaj një kundërshtari me të cilin historia na ka përballur më shumë jashtë futbollit?

Normalisht që emocionet i kemi para çdo ndeshjeje. Ne mundohemi t’i shohim të gjitha si ndeshje futbolli. Të jemi profesionistë dhe të marrim tri pikët, ky është synimi. Ndeshja do të jetë e vështirë si në aspektin futbollistik, edhe emocionalisht.

Cilat janë pikat e forta të Serbisë në sulm, çfarë ambienti prisni atje?

Besoj se Serbia ka futbollistë të mirë, me cilësi të lartë në çdo pozicion. Ata kanë në sulm lojtarë si Mitrovic, shumë i fortë. Vlahovic ka pasur ndeshje të mira me Juventusin. Do t’i analizojmë dhe shpresoj të jemi të përgatitur.

Në “Air Albania” bëtë mirë, a do jetë e vështirë ta mbani portën të paprekur edhe atje?

Sigurisht, atje do të jetë më e vështirë. Çdo ndeshje jashtë fushe është më e vështirë, atje nuk do t’i kemi tifozët tanë mbështetje. Sidoqoftë, do të japim maksimumin si në çdo ndeshje.

Jeni lider me Gjimshitin në mbrojtje, çfarë këshille iu jepni sulmuesve?

Këshillat nuk duhet t’i japim ne, shpresojmë që rastet e krijuara t’i shfrytëzojmë maksimalisht. Do të provojmë ta mbajmë portën të pastër, sulmuesit e dinë vetë çfarë duhet të bëjnë”.

Poll

MOS HUMB