Qytetërim

Parashuta financiare në futbollin anglez: Një shpëtimtar apo burim pabarazie?

Kjo pabarazi e thellë bën që mbijetesa në Premier Ligë të jetë jashtëzakonisht e vështirë, ndërsa rënia nga kategoria mund të ketë pasoja katastrofike për klubet, që nuk janë të përgatitura financiarisht.

Redaksia Zëri
Parashuta financiare në futbollin anglez: Një shpëtimtar apo
Foto ilustruese

BRITANI E MADHE- Hendeku financiar mes klubeve të pasura dhe atyre modeste në futbollin anglez është më i madh se kurrë. Shembulli më i qartë vjen nga Mançester Siti, skuadra kampione e Premier Ligës 2022-23, që kishte një kosto totale skuadre prej 960 milionë euro, krahasuar me vetëm 6 milionë euro të përdorura nga Luton Tauni për të siguruar ngjitjen në elitë.

Kjo pabarazi e thellë bën që mbijetesa në Premier Ligë të jetë jashtëzakonisht e vështirë, ndërsa rënia nga kategoria mund të ketë pasoja katastrofike për klubet, që nuk janë të përgatitura financiarisht.

Për të zbutur ndikimin financiar të rënies, Premier Liga ka vendosur të aplikojë sistemin e “parashutës financiare” që nga viti 2006.

Klubet e saporëna marrin një përqindje të të ardhurave televizive të ndara në mënyrë të barabartë: 55% në vitin e parë në Championship (kategoria e dytë angleze për nga niveli), 45% në të dytin dhe 20% në të tretin, nëse klubi ka qenë më shumë se një sezon në ligën elitare.

Këto pagesa ndalen në momentin që klubi ngjitet sërish në Premier Ligë. Ky sistem është menduar si një masë mbrojtëse ndaj falimentimit, duke ndihmuar klubet që të përshtaten me realitetin financiar të një lige më të varfër. Për më tepër, Premier League ndan çdo vit edhe rreth 100 milionë paund në formën e “pagesës së solidaritetit” për 64 klubet e Ligës së Futbollit, për të balancuar disi pabarazinë. Megjithatë, klubet që përfitojnë nga parashuta financiare krijojnë një tjetër shtresë pabarazie në pabarazi. Edhe ato kanë një avantazh të dukshëm ndaj rivalëve të tyre në Championship, ku shumica e klubeve funksionojnë me buxhete shumë më të vogla.

Kjo pabarazi ka nxitur kritika, pasi rikthimi në elitë bëhet shumë më i lehtë për klubet që sapo kanë rënë.

Anglia është vendi i vetëm që aplikon këtë sistem, për shkak të të ardhurave gjigande nga të drejtat televizive të Premier Ligës, që kalojnë 3.5 miliardë dollarë në sezon, më shumë sesa La Liga dhe Bundesliga së bashku.

Debati shtrohet në këtë linjë: a janë këto pagesa shpëtimtarë të futbollit modern apo një tjetër mjet për të ruajtur status quo-në e klubeve të mëdha?

Mbi 60 milionë paundë do të përfitojë skuadra e rënë këtë vit në Championship, ndërsa finalja e Uemblit, mes Sandërlendit dhe Shefild Juanjtidit për ngjitjen në Premier Ligë, bileta, premio dhe të drejta televizive, bëhet finale më shpërblyese se 95% e finaleve që luhen në continent, pasi do t’i sjellë fituesit rreth 260 milionë paundë përfitime./ZËRI

Poll

MOS HUMB