
TIRANË- Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvio Mendes Campos Junior, i njohur shkurtimisht si Sylvinho ka dalë para gazetarëve për të folur në lidhje me përballjen që pritet të zhvillohet nesër mes kuqezinjve dhe ekipit kombëtar të Serbisë. I pyetur për formacionin, tha se e ka në mendje të gjithë ekipin që do të hedhë në fushë, por nuk la pa vlerësuar serbët, për të cilët u shpreh se janë një ekip me lojtarë të fortë.
“Ata janë një ekip i fortë. Kanë lojtarë të mirë si Mitroviç, Joviç, por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë. Nesër shpresojmë të kemi një ndeshje të bukur. Të gjithë trajnerit e përgatisin ndeshjen për ta fituar. Shpresoj të dhurojmë një ndeshje të bukur. 90 minuta janë të gjata dhe mund të ndodhë çdo gjë. Të shohim si do të shkojë rrugëtimi drejt Botërorit, por ne futemi në fushë për tre pikët. Shumë trajnerë ankohen për situatën e lojtarëve pas sezonit. Ka qenë një kalendar i ngjeshur. Por kemi bërë 5-6 ditë të mira trajnim. Por që nesër në orën 19:45 do të publikoj formacionin. Kjo është një skuadër komplet ndryshe. Kemi dhe një stërvitje të fundit sot. E kam në mendje një formacion që mund ta hedh nesër në fushë, por që nesër do të vendosim,”- tha Sylvinho.
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan të shtunën në orën 20:45 kundër Serbisë në "Arenën Kombëtare" të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026./ZËRI