
TURQI- Ish-futbollisti turk Serhat Akın, i cili ka luajtur për gjigantët e Stambollit, Fenerbahçe dhe kombëtaren turke, ka mbetur i plagosur në një incident me të shtëna armësh. Sulmi ndodhi teksa Akın po kthehej në shtëpi pasi ishte ftuar në një emision për të analizuar ndeshjet e UEFA Europa League.

Akın e ndau lajmin për sulmin në llogarinë e tij në rrjetet sociale, duke postuar një foto të këmbës së tij të plagosur. Në postim ai shkruan: Më qëlluan në këmbë pas një emisioni, fjala ime e fundit është Fenerbahçe.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas mediave vendase, dy persona me një motorr po afroheshin drejt ish-futbollistit, njëri prej të cilëve zbriti dhe qëlloi në drejtim të Akınit. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se sulmuesi qëllon në këmbën e Akınit dhe largohet përsëri me motorr. Motivi i sulmit është ende i paqartë dhe autoritetet ende nuk kanë komentuar mbi ndonjë të dyshuar të mundshëm apo arsyen për të shtënat.
Komuniteti turk i futbollit, duke përfshirë klubin Fenerbahçe dhe ish-presidentin e klubit Aziz Yıldırım, dënuan sulmin dhe bën thirrje që autorët të dalin përpara drejtësisë./ ZËRI