Qytetërim

Policia greke dhe ajo e izraelit godasin rrjetin e trafikut të drogës

Policia sekuestroi 53 kg MDMA, 50 kg ketaminë, dy rulota dhe 14 kamionë.

M.M
Policia greke dhe ajo e izraelit godasin rrjetin e trafikut të drogës
Droga e sekuestruar

GREQI- Një rrjet narkotrafiku është shkatërruar gjatë një operacioni ndërkombëtar mes autoriteteve greke dhe izraelite, i cili ka rezultuar në arrestimin e tetë personave. Sipas mediave greke, operacioni është zhvilluar mëngjesin e sotëm (14 gusht), duke çuar në ndalimin e 4 ukrainasve, 3 izraelitëve dhe një etiopiani.

Policia sekuestroi 53 kg MDMA, 50 kg ketaminë, dy rulota dhe 14 kamionë, ndërsa vlera e fitimeve të paligjshme është llogaritur në rreth 2.5 milionë euro. Droga, e trafikuar nga vendet perëndimore, kishte destinacion Bullgarinë dhe më pas Greqinë, për t'u dërguar më tej në Izrael me mjete lundruese.

Sipas mediave greke, rrjeti kriminal ishte përgjegjës për transportin dhe fshehjen e drogës në territorin grek dhe organizimin e trafikut drejt Izraelit. Ndërhyrja e agjentëve grekë u krye në zonën e Volos, në kampingje, dhoma me qira dhe portet lokale.

Një nga të arrestuarit, një 44-vjeçar i identifikuar si drejtues i operacionit, dyshohet se ishte përgjegjës për koordinimin dhe rekrutimin e anëtarëve të tjerë të grupit. Ata ishin përgjegjës për sigurimin e drogës në Evropën Perëndimore dhe transportimin e saj në Greqi, përmes Bullgarisë, me qëllim trafikimin e mëtejshëm drejt Izraelit. Operacioni u cilësua si një goditje e rëndësishme ndaj trafikantëve ndërkombëtarë të drogës./ ZËRI

Poll

MOS HUMB