
SHBA- Rezultatet paraprake të autopsisë ende nuk kanë përcaktuar shkakun e vdekjes së aktorit Gene Hackman dhe gruas së tij, Betsy Arakawa, të cilët u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe, New Mexico. Megjithatë, autoritetet kanë përjashtuar helmimin nga monoksidi i karbonit. Kështu tha sherifi i Qarkut Santa Fe, Adan Mendoza.
Mendoza vuri në dukje se stimuluesi kardiak i 95-vjeçarit Hackman kishte pushuar së funksionuari më 17 shkurt, çka do të thotë se ai mund të kishte ndërruar jetë 9 ditë para se të gjendej i pajetë. Hackman u gjet në hyrje të shtëpisë së tyre, ndërsa 65-vjeçarja Arakawa u zbulua në një banjë, e shtrirë në anë. Pranë saj kishte disa pilula, të cilat po analizohen. Raportet e toksikologjisë, të cilat pritet të dalin, mund të japin më shumë detaje se për çfarë janë përdorur dhe nga kush.
Në fakt, të gjitha hipotezat në tryezë janë ende të hapura, nga vrasja (edhe pse konsiderohet më pak e mundshme), deri te vetëvrasja, deri te aksidentet. E vetmja teori që është përjashtuar është helmimi nga monoksidi i karbonit sepse, sipas Sherifit Aidan Mendoza, "gazi mund të shpërndahet nga mjedisi, por jo nga trupi" dhe si Hackman, ashtu edhe gruaja e tij rezultuan negativë.
“Ato mund të jenë shumë të rëndësishme,”-tha Mendosa për pilulat e gjetura pranë trupit të Arakawa.
"Ato pilula mund të na ndihmonin të kuptojmë se nga çfarë vuante ajo. Ideja e vetëvrasjes është gjithmonë aty,"-tha një patologe për "Neë York Post", sipas së cilës një hipotezë është se zemra e 95-vjeçarit Hackman nuk mund ta përballonte vdekjen e gruas së tij më të re, me të cilën ai ishte i martuar për 34 vite.
Misteri i "zhdukjes" së Arakawa
Por pikërisht për shkak se çdo hipotezë është ende e hapur, hetuesit po kërkojnë edhe informacione të tjera duke u rikthyer në jetën e çiftit.
Prej disa kohësh, të paktën që nga pas Covid-it, ata jetonin gjithnjë e më shumë të izoluar. Për shembull, vlen të merret në konsideratë fakti që Arakawa nuk kishte qenë në kontakt me të afërmit e saj më të afërt muajt e fundit. Gruaja telefononte rregullisht nënën e saj, Yoshie Feaster 91-vjeçare, e cila vuan nga demenca, por sipas kujdestarit të Feaster, ajo nuk kishte telefonuar që nga tetori.
Ndaj çiftit i janë marrë edhe telefonat celularë, për të parë nëse brenda tyre mund të ketë ndonjë mesazh lamtumire, apo ndonjë të dhënë tjetër që mund të zbulojmë më shumë lidhur me ngjarjen. Por tashmë ka edhe një tjetër "problem"! Nuk dihet sesi do të shpërndahet pasuria e çiftit. Janë 90 milionë dollarë asete që duhet të ndahen dhe koha e vdekjes së Arakawa-s është vendimtare në vërtetimin në ndarjen e pasurisë.
Sipas një ligji të quajtur "Akti i vdekjes së njëkohshme", dy persona që vdesin brenda 120 orëve nga njëri-tjetri, konsiderohen se kanë vdekur "në të njëjtën kohë". Nëse do të jetë kështu, pasuria e Hackman do të ndahet midis trashëgimtarëve të drejtpërdrejtë të aktorit.
Por nëse Arakawa ka ndërruar jetë më shumë se pesë ditë pas burrit të saj, futen në lojë edhe trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të gruas./ZËRI