PRISHTINË- Spektakli i finales së madhe të Big Brother VIP Kosova u mbyll me emocione të forta dhe një fitues të ri. Pas më shumë se 100 ditësh izolim, sfidash dhe dinamikash brenda shtëpisë, Londrim Mekaj u shpall fitues i edicionit të katërt, duke siguruar çmimin e madh.
Banori që iu bashkua më vonë garës arriti të fitojë zemrat e publikut dhe të marrë mbështetjen vendimtare në natën finale, duke lënë pas Elijona Binakajn, e cila u rendit në vendin e dytë.
Finalja u zhvillua në praninë e pesë finalistëve: Ludo Lee, Elijona, Londrimi, Klodi dhe Hygerta – të gjithë protagonistë të një sezoni të mbushur me debate, miqësi, përballje dhe momente të forta emocionale. Në përmbyllje të spektaklit, mes duartrokitjesh dhe tensioni, u shpall emri i fituesit.
I prekur dhe mes lotësh, Londrimi falënderoi Zotin, familjen, produksionin dhe publikun për mbështetjen e pakursyer. Ai e cilësoi eksperiencën si një nga përjetimet më të bukura të jetës së tij, duke theksuar se brenda shtëpisë ka krijuar miqësi dhe kujtime që do ta shoqërojnë gjithmonë.
“Kushdo që ka dëshirën të jetë pjesë e këtij formati, t’i jepet mundësia dhe ta shijojë në maksimum, është një prej eksperiencave më të bukura. Kam përjetuar lloj-lloj emocionesh, kam krijuar shoqëri, kam krijuar raporte të mira, momente që s’kam për t’i harruar kurrë dhe jam falenderues sa të kem shpirtin gjallë. Ju dua pafund,” u shpreh ai.
Sa i përket renditjes finale, në vendin e pestë u pozicionua Hygerta, e katërta Klodi, në vendin e tretë Ludo Lee, ndërsa Elijona u shpall nënkampione e këtij edicioni./ZËRI