
PHENIAN- Një nga fotot më të famshme dhe më të veçanta të Lojërave Olimpike të Parisit, një selfie e bërë nga lojtarët e pingpongut fitues të medaljeve nga të dyja anët e gadishullit të ndarë Korean, shkaktoi bujë të madhe gjatë Olimpiadës, por mesa duket…ka shkaktuar edhe telashe për ta.
Në një moment pas përfundimit të lojës së ping-pongut, lojtarët e Koresë së Jugut, Lim Jong-hoon dhe Shin Yu-bin dhe dyshja e Koresë së Veriut, Kim Kum-yong dhe Ri Jong-sik, dukeshin të lumtur teksa pozonin për një selfie në podium pasi morën medaljet e tyre të bronzta dhe të argjendta në South Paris Arena muajin e kaluar. Fotos iu bashkuan edhe fituesit e medaljes së artë kineze, Wang Chuqin dhe Sun Yingsha.
Një nga imazhet u postua në faqen zyrtare të Lojërave në Instagram, tërhoqi qindra mijëra pëlqime, ndërsa revista People e quajti atë si një nga 12 momentet më të mira sportive të Olimpiadës në Paris.
Këtë javë raportet e mediave pretenduan se Kim dhe Ri janë vënë nën “vështrim ideologjik”. Sipas mediave koreano-jugore, të cituara nga një zyrtar i lartë i Phenianit, ata po kalojnë një procedurë standarte për sportistët dhe gratë që janë ekspozuar ndaj jetës jashtë shtetit komunist, por nuk bëhet me dije se çfarë është ajo. Sportistët ishin udhëzuar të mos ndërveprojnë me konkurrentët e tjerë nga vende të tjera, duke përfshirë Jugun, dhe u paralajmëruan se mund të përballeshin me ndëshkim.
Nuk është e qartë se me çfarë sanksionesh mund të përballen lojtarët e pingpongut. /ZËRI