RUSI- Trupat e Moskës janë vendosur në rajonin e Kurskut në përpjekje për të ngadalësuar ofensivën që ka depërtuar në zemër të territorit rus. Sipas The Washington Post, dislokimi do bëhet në një zonë të madhe gri, ku Kievi ka ngritur prita vdekjeprurëse.
Një kolonë prej 15 kamionësh ushtarësh u shkatërrua brenda pak minutash ndërsa udhëtonte natën pranë Rylsk. Videot tregojnë automjete të djegura dhe grumbuj kufomash, që besohet se janë të paktën dyqind të vdekur dhe të plagosur. Kjo ishte një nga pritat më të përgjakshme të gjithë konfliktit. Analistët rusë pretendojnë se është vepër e raketave amerikane Himars, por për momentin Uashingtoni nuk lejon përdorimin e armëve me rreze të lartë përtej kufirit amerikan.

Shqetësimi më i madh ka të bëjë me termocentralin bërthamor të Kurskut. Pasditen e djeshme ka ndodhur një shpërthim dhe më pas është ndërprerë energjia elektrike në të gjithë zonën. Guvernatori Alexei Smirnov tha se ndërprerja "u shkaktua nga mbetjet e një droni të rrëzuar armik i cili shkaktoi një zjarr në kabllo".
Ukrainasit kanë avancuar me tanke të cilët janë të aftë për të qëlluar deri në dyzet kilometra. Frika është se ata mund të qëllojnë edhe termocentralin.
Për të ndaluar përforcimet që vazhdojnë të kalojnë kufirin, forcat ajrore ruse kanë nisur të bombardojnë rrethin ukrainas të Sumy, ku ndodhen bazat e sulmit. Autoritetet kanë urdhëruar transferimin e njëzet mijë banorëve.

Harta ku po zhvillohen betejat është kritike. Rusët po përqendrojnë reagimin e tyre në tre vendet që shënojnë linjat kryesore të sulmit. Në jug, ata manovrojnë në Suzda, për të lehtësuar dy batalione rekrutësh dhe milicinë Rosvgardia të rrethuar në portat e qytetit: luftimet më intensive zhvillohen në Plekhovo. Aty së bashku me veteranët Wagner hynë në aksion komandot çeçenë të grupit Aida. Një nga oficerët e tyre deklaroi se "operacioni kërkon kohë".
Në qendër, luftimet më intensive janë regjistruar në Malaya Lokhna, pranë autostradës për në kryeqytet. Në veri, megjithatë, ka një luftë për kontrollin e Korenovës: katër tanke ukrainase u përpoqën të depërtojnë në periferi, por thuhet se u zmbrapsën.
Ndërkohë, situata në Donbass mbetet kritike për mbrojtjen e Ukrainës. Një tjetër fshat ra dje dhe rusët janë tani pesëmbëdhjetë kilometra larg Pokrovsk, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë mbrojtjen e autostradës që furnizon vijën e frontit në Donetsk.

Ka dhjetëra sulme çdo ditë, të mbështetura edhe nga tanke, avionë dhe raketa. Një supermarket u shkatërrua në Kostiantynivka, në pjesën e pasme, duke vrarë katërmbëdhjetë civilë dhe duke plagosur dyzetë të tjerë. Dy valë dronësh goditën aeroportin e Lipetsk, katërqind kilometra larg kufirit, dhe shpërthyen depot e bombave të përdorura nga bombarduesit luftarakë.
Me përparimin në Kursk, qeveria Zelensky jo vetëm që dëshiron të lehtësojë presionin mbi Donbass, por gjithashtu synon një rezultat politik, në lidhje me skenarët e negociatave. Myhailo Podolyak, një nga këshilltarët e presidentit, e bëri të qartë këtë dje: "Rusia ka filluar të kuptojë se lufta po vjen ngadalë në territorin e saj. Kur do të jetë e mundur të zhvillohet një negociatë që na lejon të marrim diçka prej tyre? Vetëm kur konflikti nuk do të shkojë sipas planeve të tyre”./ ZËRI