
TASHKENT - Zyrtarët në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent, kanë mbyllur shumë restorante, që nuk ofrojnë alkool. Kështu pretendojnë pronarët, duke shtuar se atyre u është thënë se bizneset e tyre mund të rihapen, nëse pranojnë të shesin pije alkoolike.
Këto janë disa prej veprimeve, që thuhet se po ndërmerr qeveria e vendit ndaj myslimanëve. Qeveria ka thënë se është e shqetësuar për një “valë ekstremizmi fetar” në vend.
Disa pronarë restorantesh i thanë Rel-it se restorantet e tyre hallall, u mbyllën këtë muaj, pas kontrolleve të befasishme nga policia, shërbimet e sigurisë, zyrtarët e taksave dhe inspektorët e shëndetit dhe sigurisë ushqimore.
"Specialistët e sigurisë ushqimore inspektuan kuzhinën, inspektorët e taksave panë dokumentet", tha një sipërmarrës nga Tashkenti. “Zyrtarët e sigurisë kontrolluan dhomën e lutjeve të restorantit, pyetën stafin për pikëpamjet e tyre fetare dhe madje kontrolluan telefonat e tyre celularë”, shtoi pronari i një lokali.
Duke folur në kushte anonimiteti, burri tha se policia dhe shërbimet e sigurisë nuk paraqitën asnjë dokument zyrtar për kontrollin. Restoranti më pas u mbyll "përkohësisht" nga inspektorët e sigurisë ushqimore. Pronari thotë se zyrtarët nuk dhanë asnjë arsye të volitshme, se përse kanë ndërmarrë veprimet.
Biznesmeni këmbëngul se ai ndjek me kujdes të gjitha rregullat e sigurisë ushqimore dhe higjienës dhe se ambientet janë gjithmonë të pastra e se stafi mban uniforma të pastra dhe të bardha.
Disa pronarë të tjerë biznesesh folën për bastisje të ngjashme në restorantet dhe kafenetë e tyre, që më pas u mbyllën gjithashtu.
Megjithëse restorantet janë në pjesë të ndryshme të Tashkentit, e përbashkëta e atyre që janë mbyllur është se nuk shesin alkool, e promovojnë veten se shërbejnë ushqim hallall dhe ofrojnë një dhomë lutjesh për darkuesit.
Zyrtarët kanë mohuar pretendimet, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut shprehen se ka një tendencë të qeverisë, për të penguar liritë dhe të drejtat fetare në vend.
Pirja e alkoolit është e ndaluar në Islam, por konsumimi i tij është i ligjshëm brenda Uzbekistanit, një vend laik me shumicë myslimane, me rreth 35 milionë banorë./Zëri.ai/