Aktualitet

U arrestua për vrasjen e Fatbardh Licit, Eria Ago ankimon vendimin në Apel (DËSHMIA)

Avokatët e saj kanë kundërshtuar masën “Arrest me burg” me argumentin se provat e paraqitura nga SPAK nuk qëndrojnë.

I.F
U arrestua për vrasjen e Fatbardh Licit, Eria Ago ankimon vendimin në
Eria Ago dhe Safet Bajri

TIRANË- E dashura e Safet Bajrit, Eria Ago ka ankimuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, masën e sigurisë “arrest me burg”. E reja ndodhet aktualisht në burgun e Pojskës në Pogradec. Në vitin 2018, dyshohet se Eria Ago, asokohe e dashura e Safet Bajrit ka dërguar këtë të fundit dhe Astmer Bilalin në lagjen Kiras, ku edhe kanë kryer vrasjen. Avokatët e saj kanë kundërshtuar masën “Arrest me burg” me argumentin se provat e paraqitura nga SPAK nuk qëndrojnë. Po ashtu, kanë shtuar edhe faktin se e reja është shtruar në spitalin e burgut për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

E reja, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj, duke thënë se nuk ka dijeni në lidhje me ngjarje. Më tej, ajo ka shtuar se ditën e krimit ka qenë në Tiranë dhe jo në Shkodër. Por pavarësisht pretendimeve të saj, ajo akuzohet se ka rol aktiv në vrasje pasi drejtonte një nga makinat që u përdor në krim, pasi ka larguar nga vendi i ngjarjes, autorët e dyshuar Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin.

Por cili është roli i saj në vrasjen e Lici?

Eria Ago akuzohet se ka transportuar nga Shkodra në Tiranë, Asmer Bilalin. Ajo është marrë në pyetje edhe në 2018 për të njëjtën ngjarje. E po ashtu, ajo ka pranuar që ka qenë 3 javë e lidhur me Safetin, dhe një ditë para ngjarjes kanë qenë në një lokal me muzikë deri orët e para të mëngjesit. Por hetuesit thonë se më 10 gusht të vitit 2018, Eria ka qenë në timonin e mjetit dhe ka ndihmuar në arratisjen e Astmer Bilalit, duke e sjellë nga Shkodra në Tiranë. Për të provuar përfshirjen e saj në krim, SPAK ka edhe biseda të saj dhe të dashurit, Safet Bajrit. Madje një ditë para ngjarjes kanë qenë të dy duke festuar në një lokal nate në Tiranë. 

Nga aty, në orët e para të mëngjesit bashkë me Astmer Bilalin janë nisur drejt Shkodrës. Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Safet Bajri dhe Astmer Bilali, kanë zbritur nga makina dhe kanë marrë një mjet të vjedhur, me të cilin kanë hyrë në Kiras, në vendin ku pinte kafen Fatbardh Lici. Aty e kanë qëlluar me armë zjarri dhe më pas, janë larguar dhe kanë djegur makinën. Pasi është finalizuar vrasja, Ago e ka marrë Bilalin dhe e ka sjellë në Tiranë, për të humbur gjurmët e tij. 

Ish-missi Ago është arrestuar më datë 26 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme e akuzon për "përkrahje të autorëve të krimit", ndërkohë që më 21 shkurt të këtij viti Safet Bajri u arrestua nga SPAK, me akuzën se në bashkëpunim me Asmer Bilalin dhe kushëririn e tij të parë Behar Bajrin, se kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e Licit, vëllait të Mustafa Licit dhe xhaxhait të Ibrahim, Muhamet dhe Hamza Licit.

Disa javë më parë, SPAK zbuloi se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin e Fatbardh Licit, për të cilin 'fajësoi', Behar dhe Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin. Po sipas SPAK, motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me bashkëjetuesen e tij, Silva Ndocin, në mjetin e tyre. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilalit.

Për të tre rëndojnë veprat penale: "vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”./ZËRI

Poll

MOS HUMB