TIRANË-Një video e cila u kthye virale në rrjetet sociale mesditën e të dielës, ngriti edhe njëherë shqetësimin për përdorimin e burimeve ujore në vend nga kompanitë private. Pas Kaçinarit, Kurdarit, dje në Shëngjergj ndodhi një tjetër përplasje mes banorëve të revoltuar dhe administratorit të subjektit “Krullia shpk”, Blerim Ndou.
Shkak ishte kalimi në tokën e banorëve të tubove të kompanisë për të zgjeruar aktivitetin në zonën e Shëngjergjit. Në fakt arsyeja kryesore përse banorët pengojnë privatin është ruajtja e burimeve ujore përmes të cilave ata kryejnë vaditje dhe punët e përditshme. “ZËRI” e ka ndjekur më tej këtë çështje dhe kontaktoi via “email” administratorin Blerim Ndreu. Ky i fundit, pretendon se ka një leje konform ligjit e cila i jep të drejtë të shfrytëzojë burimet ujore në Shëngjergj. Pyetjeve tona, se a ka një kontratë apo marrëveshje me banorët e cila ka vlerë ligjore përsa i përket përdorimit të burimit për vaditje, Ndou nuk i është përgjigjur, por ka thënë se në lejen që institucionet i kanë dhënë është e sqaruar që banorët mund të vazhdojnë të përdorin burimet për vaditje.
/ZËRI