Video

Trump-Putin pa marrëveshje në Alaskë

Megjithëse nuk u arrit ndonjë marrëveshje për armëpushim në Ukrainë, CNN vëren se vetë pjesëmarrja e Putinit në këtë samit përbën një rikthim të fuqishëm të tij në arenën ndërkombëtare.

l.k.
Trump-Putin pa marrëveshje në Alaskë
Vladimir Putin dhe Donald Trump

SHBA- Takimi mes liderit amerikan Donald Trump dhe liderit rus Vladimir Putin, i mbajtur mbrëmjen e djeshme në Alaskë, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete, pavarësisht toneve pozitive nga të dy liderët dhe simbolikës së fortë që e shoqëroi samitin. Sipas CNN, takimi u mbajt nën moton: "Në kërkim të Paqes", por përfundimi i tij mbeti i paqartë dhe pa ndonjë rezultat të prekshëm.

Samiti zgjati rreth tre orë, pas të cilit Trump dhe Putin dolën për një deklaratë të shkurtër për shtyp, por nuk dhanë detaje mbi çfarë konkretisht ishte diskutuar apo arritur. Trump tha se: "kishte shumë pika për të cilat ramë dakord", por shtoi se: nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje", duke lënë të kuptohet se negociatat nuk kishin prodhuar ndonjë zgjidhje. CNN thekson se gjatë samitit, Trump ia vendosi si përgjegjësi Ukrainës për të bërë një marrëveshje, duke deklaruar se presidenti ukrainas: "duhet të bjerë dakord". Ndërkohë, në Ukrainë, në të njëjtën ditë, ndodhi një shpërthim i një droni rus në qytetin Sumy, duke shtuar më shumë tension mbi bisedimet.

Në një intervistë për Fox News, menjëherë pas samitit, Trump tha se ai mund të marrë pjesë në një takim të ardhshëm mes Putin dhe Zelensky, duke deklaruar: Të dy më duan atje, dhe unë do të jem atje.

Megjithëse nuk u arrit ndonjë marrëveshje për armëpushim në Ukrainë, CNN vëren se vetë pjesëmarrja e Putinit në këtë samit përbën një rikthim të fuqishëm të tij në arenën ndërkombëtare. Ai u prit me ceremoniale shtetërore dhe një pritje të ngrohtë nga Trump, ndërsa televizionet ruse e quajtën takimin një "shtrëngim duarsh historik". Për herë të parë pas një dekade, Putin zbarkoi në tokë amerikane, ndërkohë që SHBA nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, një faktor që sipas CNN ndikoi në zgjedhjen e Alaskës si vendtakim, duke shmangur rrezikun e ndalimit të Putinit për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar për krime lufte.Takimi fillimisht ishte planifikuar të mbahej kokë më kokë, vetëm me përkthyesit, por formati u ndryshua në momentin e fundit. Sipas CNN, dy ndihmës nga secila palë morën pjesë në bisedë: për SHBA-në, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff.

Edhe pse përmbajtja e plotë e bisedimeve mbetet e paqartë, CNN vë në dukje një moment simbolik: Putini udhëtoi në limuzinën presidenciale të Trump, një gjest i rrallë që për shumë analistë simbolizoi rikthimin e liderit rus në diplomacinë globale, pas viteve izolim që pasuan pushtimin e Ukrainës në vitin 2022./ZËRI

Poll

MOS HUMB