TIRANË-Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, që ky i fundit të japë shpjegime nëse jep pëlqimin, në gjyqin për dosjen Buka. Ahmetaj mund të dëshmojë me audio ose video konferencë në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre për privatizimin e ish fabrikës së Bukës. Në seancën e kësaj të mërkure është prezantuar edhe lista e dëshmitarëve që janë thirrur për të dëshmuar në seancën e radhës që do mbahet më 24 shkurt. Mësohet se mes listës së gjatë të dëshmitarëve, në seancën e radhës është thirrur për të dëshmuar biznesmeni Lirim Fezollari, përfitues i ankandit për privatizimin e aksioneve shtetërore të ish-furrës së bukës si dhe ish-ministri Financave Shkëlqim Cani. Në dhjetor 2024 GJKKO vendosi ta kthejë në SPAK dosjen 'Buka' për plotësim të hetimeve. Në këtë çështje Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim të detyrës” gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjes “Buka sh.a”, duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit.
/ZËRI