TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar mbrëmjen e së hënës në policinë e Kavajës, disa orë pas vendimit të Apelit që la në fuqi dënimin me 1 vit burg, pasi u gjet fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje, në bashkëpunim. Pas vetëdorëzimit, kryebashkiaku Edison Memolla është dërguar në burgun e Rrogozhinës. Ndërkohë, ka reaguar edhe Policia e Durrësit, e cila ka dhënë detaje, teksa bën me dije se është ekzekutuar vendimi për arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla. Apeli i Posaçëm vendosi të lërë në fuqi vendimin me 1 vit burg, dhënë nga Gjykata e Posaçme më 24 janar të vitit 2025. Memolla nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa vendimi i Apelit të Posaçëm ishte i formës së prerë dhe i zbatueshëm nga policia për ta arrestuar, nëse kryebashkiaku socialist nuk do të ishte vetëdorëzuar. Në këto kushte, Bashkia e Rrogozhinës do të mbetet pa kryetar, çka do të sjellë zgjedhje të parakohshme.
/ZËRI