TIRANË- "ZËRI" ka siguruar pasazhe ekskluzive nga dosja më e fundit e SPAK, ku u godit një grup i dyshuar si ndër më aktivët në trafikun e drogës në Europë, përmes Amerikës Latine. Në qendër të hetimeve ndodhen vëllezërit Ervis dhe Ardjan Çela, të cilët sipas prokurorisë, kishin ngritur një strukturë të organizuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Sipas përgjimeve të siguruara, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij në Paraguai, duke e informuar se shtetasi Franc Gergely kishte dërguar në Shqipëri një shumë prej 1 milion euro, ndërsa kishte kredituar edhe 2 milion dollarë në sistemin e tyre të shpërndarjes.
Një tjetër emër që del në dosje është Fadil Balla, i njohur ndryshe si “Shijaksi”, i cili rezulton të ketë një borxh kolosal prej 7.373.000 euro ndaj klanit Çela, një shumë që dyshohet se lidhet me furnizime të mëparshme me drogë. Për shkak të këtij borxhi të pashlyer, Ervis Çela kishte vendosur të ndërpriste çdo lloj furnizimi me të. Në fotot ekskluzive të siguruara nga ZËRI, shihen armë zjarri, si dhe një dërgesë e kapur ndaj këtij grupi./ZËRI