Video

Nga neni 242 te Bordi i Paqes në SHBA, zhvillimet që shënuan javën politike në vend

Kryeministri Edi Rama sqaroi se ndryshimi i këtij neni do të votohet në Kuvend, pasi ky i fundit të jetë shprehur për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, masë e kërkuar nga SPAK.

Loreta Koleci
Nga neni 242 te Bordi i Paqes në SHBA, zhvillimet që shënuan
foto ilustruese

TIRANË- Të hënën grupi parlamentar i Partisë Socialiste prezantoi ndryshimet ligjore në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Në nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm për deputetët apo kryebashkiakët, do të shtohen edhe presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, avokati i popullit, kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Edi Rama sqaroi se ndryshimi i këtij neni do të votohet në Kuvend, pasi ky i fundit të jetë shprehur për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, masë e kërkuar nga SPAK.

17 shkurti shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku kjo datë ishte edhe festë edhe protestë. Reagimet nga liderat e politikës shqiptare nuk munguan, ku një nga këto ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili bëri publike bisedën telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi, që po gjykohet në Hagë për krime lufte.

Dy ditë më vonë, më 19 shkurt, sytë e të gjithë botës ishin tek mbledhja e Bordit të Paqes, e kryesuar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Rama u nis drejt Uashingtonit, ndërsa delegacioni i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, i kryesuar nga kryetari David McAllister, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë.

Diplomati europian komentoi rastin e Belinda Ballukut, duke e cilësuar si një test kritik të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. McAllister i bëri thirrje politikës të mos ndërhyjë në drejtësi dhe theksoi se Shqipëria ka humbur 11 vende në renditje.

Në mbledhjen e Bordit të Paqes ishin prezent kryeministri i vendit Edi Rama dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Rama mbajti fjalën e tij, duke u fokusuar me atë çfarë po ndodh në Hagë me 4 ish-krerët e UÇK-së, për të cilët po kërkohet 45 vite burg për secilin. Në fjalën e tij, ai kërkoi ndërhyrjen e presidentit Donald Trump.

E premtja ishte dita e protestës për opozitën, ku molotovët dhe përplasjet me policinë nuk munguan. 18 persona u arrestuan dhe 28 të tjerë u vendosën nën hetim, mes tyre dhe deputeti Klevis Balliu./ZËRI

Poll

MOS HUMB