TIRANË-Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zbritur në terren për herë të parë pa ndërhyrjen e Policisë dhe me njësinë e saj të armatosur si pjesë e vizionit të kreut të SPAK. Kjo njësi pjesë e sektorit të taktikës në BKH, përbëhet nga agjentë të trajnuar dhe armatosur, mbrëmjen e 1 korrikut ka kryer operacionin e parë në qytetin e Durrësit. Në pranga ka rënë një personazh i njohur për CV-në e tij kriminale dhe i shpallur në kërkim nga SPAK për llogari të operacionit “Ura”. Bëhet fjalë për Andi Çobën, i cili u prangos mbrëmjen e djeshme në një banesë në zonën e plazhit në Durrës. Burime për WebLajm bëjnë me dije se në listën e të kërkuarve janë lokalizuar edhe 24 shtetas të dyshuar. Sipas raportimeve, rezulton se ata fshihen në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Elbasan. Prej 2 javësh këto qytete janë nën monitorimin e njësisë speciale, e cila ka lokalizuar vendet ku ata fshihen. Mes të kërkuarve ka rezultuar se disa prej tyre fshihen në vila dhe resorte luksoze, të cilat ndodhen në zonat bregdetare të vendit.
/ZËRI