
TIRANË- Prokuroria italiane ka zbuluar detaje lidhur me figurën e Elvis Doçit, i njohur edhe me nofkën "Visi i Pojës", për të cilin ka një urdhër-arresti si pjesë e një grupi të strukturuar në trafikun e drogës. Sipas dosjes së siguruar nga ZËRI, Doçi ka një dënim të gjatë për krime të lidhura me drogën, edhe pse aktiviteti hetimor ka dokumentuar vetëm një episod të përfshirjes së tij, gjithmonë duke marrë për bazë të bisedave të shkëmbyera "SkyECC".
Duket se Doçi bashkëpunon me Adi Çobën, por më shumë informacione lidhur me figurën e Doçit janë mbledhur nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Po ashtu, edhe përgjimet, tregojnë lidhur me rëndësinë e Pojës, i cili përshkruhet si një nga trafikantët kryesorë të drogës që vepronin në Shqipëri, e po ashtu një eksponent kryesor i një grupi të organizuar kriminal të fuqishëm. Këtu hyn "në lojë" edhe Dumani, i cili e tregon Visin e Pojës si një eksponent të lartë në kontekstin kriminal, duke i bashkangjiur edhe xhaxhanë e tij, Xhevdet Troplinin, i cili njihet ndryshe si "Poja". Dumani thotë se Poja ka një grup brutal, ndër më të fuqishmit që vepronin në Shqipëri, i cili ka qenë dominues në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve për disa vite, dhe që po ashtu janë në gjendje të veprojnë edhe jashtë vendit falë lidhjeve të forta që kanë në Itali dhe Gjermani, por edhe kontakteve në Amerikën e Jugut. Doçi ka gjithashtu precedentë të mëparshëm lidhur me substancat narkotike që në vitin 2008. Ndërsa në Padova ishte dënuar në që vitin 2003 me 3 vite burg për blerje dhe shitje të substancave narkotike. Më 17 maj të vitit 2024, u mësua se Doçi po kërkohej nga SPAK. Doçi administron një kompani ndërtimi me adresë në Rrashbull të Durrësit me emrin “Cara na”, një bar-kafe me emrin “Port Side” në Durrës, të cilën e ka në bashkëpronësi me një tjetër person të identifikuar si Bukurije Doçi, një bar kafe në Fushë Krujë, dhe bar “Vintage” me adresë në Sukth në bashkëpronësi me një person të quajtur Edmir Bakalli. Doçi ka qenë subjekt i OFL-së, ndërsa emri i tij është lakuar edhe pse jo zyrtarisht, për disa ngjarje të rënda kriminale.