
TIRANË- Në majën e malit të Milesë është projektuar ngritja e një resorti që do të quhet "Enea Resort". Teksa punimet ende nuk kanë nisur, reklama për ndërtimet e reja janë shpërndarë në rrjetet sociale nga vetë ndërtuesi. Një prej këtyre postimeve ka përfunduar në "duart" e studiuesit dhe ekspertit të trashëgimisë kulturore, Auron Tare. Kështu, Tare ka ngritur shqetësimin se nga ana e kompanisë, po ndërhyhet dhe po ndërtohet në një zonë të shpallur pasuri botërore nga UNESCO. Kështu, duke nxjerrë edhe pamjet e projektit, Tare ngre pyetje nëse ndërtimi ka marrë miratimin nga autoritetet e shtetit, apo është thjesht një përpjekje për të marrë leje dhe kompania ka krijuar konceptin. Ndërkohë "Enea Resort", një godinë që do të ndërtohet nga kompania “BVG Housing shpk” në emër të Lulzim Bexhetit, ka hapur një faqe zyrtare në Facebook që më 25 janar të këtij viti dhe ka nisur që të "shesë" konceptin e saj për ndërtimin mbi majën e malit. Në mediat e Shqipërisë por edhe në ato të Kosovës, Lulzim Bexheti, përshkruhet si arkitekt dhe sipërmarrës i vendosur prej 27 vitesh në Finlandë me familjen e tij, i cili ka themeluar Fondacionin “Vjosa” për t'i ardhur në ndihmë fëmijëve që janë pjesë e spektrit të autizmit.
/ZËRI