
TIRANË- Dosja e akt-akuzës së ish-kryeministrit dhe kryedemokratit Sali Berisha, dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmenit Fatmir Bektashi, ka nxjerrë në pah dhe përfshirjen e një prej bankave të nivelit të dytë, Union Bank. Në 499 faqet e dosjes që akuzon ish-kreun e qeverisë për korrupsion në bashkëpunim, Union Bank, e drejtuar nga Flutura Veipi, përmendet dhjetëra herë si e ‘përzgjedhura’ e familjes Berisha për kalimin e çdo fondi, transaksioni apo marrje kredie. Më konkretisht, më datë 28 tetor të vitit 2014, Union Bank i ka dhënë një kredi kompanisë së Bektashit, “Kontakt”, me vlerë 300 mijë euro. Për këtë kredi, Bektashi ka lënë dy prona kolateral. Kjo kredi është marrë me qëllim pagesën e pjesshme të lejes së ndërtimit të kompleksit Magnet. Ndërsa në vitin 2013, shoqëria “Homeplan”, sërish në pronësi të Bektashit, ka marrë një tjetër kredi bankare, me vlerë 1 milion euro. Brenda vitit, siç e thamë edhe më sipër është financuar sërish me 300 mijë euro.
Në aparatet kompjuterike të sekuestruara pranë studio Pustina, është gjendur dokumenti "Përgjigje për Abin" në gjuhën angleze i krijuar më datë 09.12.2021 dhe "Përgjigje për Abin VS2" në gjuhën angleze me datë krijimi 15.12.2021. Në këtë dokument parashtrohen disa kërkesa që i janë bërë vajzës së Malltezit në lidhje me justifikimin e përfitimeve të Jamarbër Malltezit. Transkaksionet kanë qenë të shumta gjithashtu. 80 të tilla janë bërë vetëm brenda gjashtë muajve në vitin 2017, por në shuma të vogla, në mënyrë që të mos nisnin verifikimet për pastrimin e parave. Por kjo nuk është hera e parë që kjo bankë lakohet pranë familjes Berisha. Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç që erdhi në Shqipëri në kohën e qeverisë Berisha u financua nga kjo bankë. Në vitin 2004, qeveria shqiptare shpalli ndërtimin e një porti në zonën e quajtur Porto Romano për importimin e produkteve të hidrokarbureve, një projekt në partneritet publik dhe privat. Me mendimin se zona do të kthehej në një park industrial energjetik, Damir Fazlliç bleu mbi 150 mijë metër katrorë tokë në Porto Romano. BIRN ka raportuar në atë kohë se Damir Fazlliç, nëpërmjet kompanisë së tij, Crown Acquisitions u shndërrua në një kreditor të besueshëm për bankat, të cilat financuan projektet e tij. Në prill 2010, kompania Crown Acquisitions mori një kredi prej 625 milionë lekësh (rreth 4.5 milionë euro) me synimin për të zhvilluar tokat e ish-Kënetës, brenda zonës së dizenjuar si Park Industrial me një projekt të titulluar: “Terminal dhe depozita karburanti dhe gazi”. Kredia, e cila duhej të shlyhej për pesë vjet synonte të përdorej për nivelimin e tokës, gërmimin dhe punime të tjera në infrastrukturë për projektin. Për marrjen e kësaj kredie, kompania la si kolateral dy parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej 80 mijë metrash katrorë. Po për të njëjtin projekt, Fazlliç siguroi dhe një kredi të dytë në maj 2013 nga Union Bank në vlerën e 841 mijë eurove. Mirëpo, Fazlliç u kallëzua nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vitin 2014 se ka përfituar pagesa TVSH-je mbi dokumente të rreme në vitin 2011 për punë të pakryera në parkun industrial të Porto Romanos. Çfarë do të ndodhë tani? A do të nisin hetimet për Union Bank? Drejtore e Përgjithshme e Union Bank është Flutura Veipi. Në maj të vitit 2023, Flutura Veipi u zgjodh anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave.