TIRANË-Këtë mërkurë hyri në fuqi zbatimi i ligjit për amnistinë penale, i cili u miratua nga Kuvendi më 18 qershor dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor. Në një proces që nisi që prej orës 08:30 të mëngjesit, paralelisht në të gjitha burgjet e vendit, 553 persona u liruan menjëherë nga burgu, mes tyre dhe disa emra të njohur, si Rozeta Dobi, sanitarja e dënuar për vjedhjen e parave në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi, Erisa Fero, ish-punonjësja e AKSHI-t, e dënuar per kanabis. Ndërkohë, 863 të dënuar të tjerë përfituan ulje dënimi. Në total, 1,416 persona të dënuar përfitojnë nga amnistia. Bëhet fjalë për të dënuarit me vendim të formës së prerë deri më 31 maj 2026. Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit për vepra të rënda penale, si vrasja me dashje, krimet kundër njerëzimit, krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, si dhe të gjitha çështjet që trajtohen nga SPAK ose që janë gjykuar nga GJKKO.