
TIRANË- Arben Ahmetaj pritet që të thyejë heshtjen nga arratia, dhe të flasë për aferën e inceneratorëve, por ka një tjetër llogari të hapur me drejtësinë, dosjen e privatizimit të ish-fabrikës shtetërore të Bukës, mbi truallin e të cilës është ndërtuar qendra tregtare Emerald në zonën e 5 Majit. Në dosjen e SPAK, edhe pse Ahmetaj ishte Ministër e funksionar publik, nuk zbatonte vendimet e gjykatave duke shkaktuar dëme kundrejt palëve të treta dhe shtetit të cilin ai përfaqësonte. Mes vendimeve që Ahmetaj nuk zbatonte rezultojnë: ato të Gjykatës Kushtetuese, Kolegjit të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Administrative dhe të Apelit. SPAK thotë se me privatizimin e aseteve të ish-fabrikës shtetërore të Bukës, Ahmetaj ka vepruar i vetëm për të favorizuar biznesmenin Lirim Fejzollari. SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi në Gjykatë Ahmetajn, ndërkohë që vijojnë hetimet për biznesmenin Fejzollari si dhe disa zyrtarë të tjerë të ministrisë së Financave. Ndaj Ahmetajt është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, me vlerë rreth 7 miliardë lekë. Ish-ministri është në kërkim ndërkombëtar prej muajsh.