TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ashpërsuar tonet me ish-deputetin Ervin Salianji, i cili mbajti të mërkurën një takim me strukturat në qytetin e Durrësit. Berisha këmbëngul se Salianji është duke ndërmarrë një agjendë për interesa personale, dhe se qëllimi i tij nuk ka asnjë lidhje me analizën apo ringritjen e Partisë Demokratike.
“Asnjë deputet nuk ka nisur asnjë foltore, është një anëtar kryesie që ka një axhende personale. Në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme. Ka një zonë në Kombinat i ngarkuar për analizë. Këto ai do të ketë axhende personale. Le ta vazhdojë deri në fund sa të ketë qejf. I përgëzoj strukturat e Durrësit që nuk u mashtruan nga një axhende strikte personale.", tha Berisha.
Për Berishën, ata që iu bashkuan takimit të Salianjit dhe Alimehmetit në Durrës, ishin thjesht disa persona që u zhgënjyen se nuk ishin pjesë e listave për deputetë. Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti zhvilluan një takim me strukturat në qytetin e Durrësit, ku u vërejt një numër i madh pjesëmarrësish, ndërsa organizime të tilla pritet që të shtrihen në të gjithë vendin. Lëvizja synon sipas Salianjit, që të bëjë një ringritje të Partisë Demokratike, por edhe një analizë për humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve./ZËRI