
TIRANË- Qytetarët shqiptarë janë mobilizuar në komente të videove të nxjerra nga ZËRI nga dokumentari i "Narcotaxi". Pasi kanë parë materialin e përgatitur nga stafi i ZËRI-t, qytetarët kanë lënë denoncimet e tyre për raste të ngjashme, por edhe për vetë taksitë. Në shumë komente kanë ngritur dyshime se trafikantët e drogës, por edhe taksistët e lidhur me të, vazhdojnë aktivitetin në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Ka edhe qytetarë të tjerë që kanë raportuar se mjetet e "LuxTaxi" i kanë bllokuar disa herë parkingun në lagje, duke e bërë të pamundur kalimin e tyre. Edhe pse e kanë denoncuar disa herë, nga instancat përkatëse nuk kanë pasur asnjëherë asnjë reagim. Pavarësisht se dhjetra denoncime kanë mbërritur tashmë në redaksi, ZëRI është gjithmonë i hapur për të shqyrtuar edhe denoncime të tjera. Për 4 muaj ZËRI hetoi skandalin e taksistëve që janë kthyer në korrierë droge. Shoferët e kompanive ‘Blue Taxi’, ‘Lux’, ‘King Taxi’ dhe ‘Smart Taxi’ janë shndërruar në ndërmjetës mes "spaçatorëve" ose ndryshe shpërndarësve të drogës dhe klientëve. Tek shërbimet "speciale" futet edhe prostitucioni. Në disa dhjetra raste, ZËRI ka provuar shitjen e kokainës lirisht në Tiranë, bashkangjitur me vepra të tjera penale që kryhen nga individë që punojnë në kompani të caktuara. Në shumë prej rasteve, shoferët vetëofrohen për të gjetur personin që do t’u sigurojë drogën klientit të rastit, ndërsa njëri është më fatali. Taksisti e përgatit dhe e konsumon bashkë me klientin, brenda në taksi.