
TIRANË- Efektivi i drejtorisë së burgjeve, Arbër Labi, është dhunuar barbarisht nga 3 persona të maskuar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Pas dhunimit, me shkop bejsbolli, autorët i kanë marrë dhe armën e shërbimit, dhe më pas janë larguar, duke e lënë efektivin të shtrirë në tokë. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se në dëshminë paraprake që ka dhënë para grupit hetimor, Labi është shprehur se dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës. Megjithatë hetuesit po hetojnë edhe një pistë tjetër, që nuk ka të bëjë me detyrën. Kjo për shkak se krahas punës në burgun 313 në Tiranë, Labi ishte dhe roje në një lokal nate, ku policia dyshon se mund të ketë nisur konflikti me autorët. Pas dhunimit, që ka ndodhur në afërsi të banesës, efektivi është dërguar në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë, ku sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.