TIRANË- Qeveria ka ndërmarrë disa ndryshime në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke përfshirë për herë të parë edhe asetet në kriptomonedha. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të ketë të drejtë të marrë në administrim jo vetëm pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara me vendim gjykate, por edhe pronat e bllokuara nga pushteti vendor. Ndërkohë një ndryshim tjetër është edhe përfshirja në administrim edhe e objekteve pa dokument hipotekor, të cilat janë të evidentuara si ndërtime pa leje. Për këto pasuri parashikohet krijimi i një fondi të posaçëm. Po ashtu projektligji parashikon që Agjencisë t’i lejohet hapja e llogarive të posaçme për administrimin e kriptomonedhave të sekuestruara. Ndryshimi synon t’i japë zgjidhje çështjes së kriptomonedhave, apo asete të tjera digjitale. Kujtojmë së në rastin “Çopja” u sekuestruan rreth 10 milionë euro në kriptomonedha, ndërsa SPAK ka theksuar se legjislacioni aktual nuk ofronte mekanizma të qartë për administrimin e këtyre aseteve.
/ZËRI